Tema të tjera...
Ish-ministrja për Integrime Evropiane, Mimoza Ahmetaj, ka kritikuar qasjen e institucioneve aktuale ndaj procesit të integrimit evropian, duke vlerësuar se Kosova ka pësuar regres në raport me Bashkimin Evropian. Sipas saj, derisa shtetet e tjera të rajonit po shënojnë përparim në rrugën drejt BE-së, Kosova jo vetëm që ka mbetur në vendnumëro, por ka degraduar në pozicionin e saj në raport me institucionet evropiane. Ahmetaj ka theksuar se situata aktuale politike nuk jep shumë shpresë për stabilitet në periudhën e ardhshme, duke e lidhur këtë me, siç tha ajo, kryeneçësinë e kryeministrit Albin Kurti. Ajo u shpreh skeptike se me këtë qasje mund të ketë përparim të shpejtë në proceset integruese, duke paralajmëruar se vendi mund të përballet me një periudhë të vështirë në raport me perspektivën evropiane. Sipas Ahmetajt, pa një ndryshim në mënyrën e udhëheqjes dhe pa më shumë bashkëpunim institucional, shanset që Kosova të arrijë stabilitet politik dhe të avancojë drejt integrimit evropian mbeten minimale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
