Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi i është drejtuar me një kërkesë urgjente Trupit Gjykues në gjykatën speciale në Hagë, duke akuzuar Zyra e Prokurorit të Specializuar se po dorëzon prova dhe materiale të reja edhe pse procesi gjyqësor tashmë është mbyllur. Në parashtresën e datës 13 mars, mbrojtja pretendon se Prokuroria po vepron në kundërshtim me rregullat procedurale, duke vazhduar të paraqesë materiale të reja pa treguar ekzistencën e rrethanave të jashtëzakonshme që do ta justifikonin një veprim të tillë. Sipas avokatit të Thaçit, Luka Misetić, dorëzimi i provave pas mbylljes së çështjes bie ndesh me rregullat e gjykatës dhe cenon procesin e drejtë gjyqësor. Ai i ka kërkuar Trupit Gjykues të lëshojë një urdhër që ndalon Prokurorinë të paraqesë materiale të reja, duke theksuar se rregullat në fuqi nuk e lejojnë një gjë të tillë pasi çështja tashmë është përmbyllur dhe është në fazën e vendimmarrjes. Edhe kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith, kishte theksuar në seancën përmbyllëse se pas mbylljes së rastit nuk mund të dorëzohen më prova apo parashtresa të reja, përveç në rrethana të jashtëzakonshme dhe me arsye të forta ligjore. Aktualisht, të vetmet çështje që shqyrtohen lidhen me rishikimin e paraburgimit të të akuzuarve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
