Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka reaguar me tone të ashpra ndaj qëndrimeve të Bashkimit Evropian lidhur me reagimin e PDK-së për Ligjin për të huajt, duke e cilësuar të padrejtë dhe të njëanshëm vlerësimin e tyre. Behrami ka deklaruar se PDK-ja është “viktima më e madhe” e dialogut dhe bashkëpunimit me Perëndimin, ndërsa sipas tij Lëvizja Vetëvendosje ka përfituar politikisht nga konfrontimi dhe, siç u shpreh ai, “besëprerja ndaj Perëndimit”. “PDK-ja është viktima më e madhe e dialogut, bashkëpunimit dhe lojalitetit ndaj Perëndimit. Ndërsa VV-ja është përfituesja më e madhe nga konfrontimi, nga dhuna politike dhe nga besëprerja ndaj Perëndimit. Andaj, mos u befasoni me një standard që vetë e keni legjitimuar”, ka shkruar Behrami. Ai ka shkuar më tej me kritikat, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti për, siç tha, negociata sekrete dhe për pranimin e strukturave paralele serbe, të cilat sipas tij kanë vendosur bazat për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas Behramit, marrëveshja e arritur në Ohër parasheh autonomi territoriale për veriun e Kosovës dhe elemente të eksteritorialitetit për kishat ortodokse serbe, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të rrezikshëm për rendin kushtetues të vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
