Rriten çmimet e importit në Kosovë, presion i ri mbi qytetarët

Indeksi i çmimeve të importit në Kosova ka shënuar rritje prej 2,8% në tremujorin e katërt të vitit 2025, krahasuar me tremujorin paraprak, ndërsa në baza vjetore rritja ka arritur në 2,5%, duke konfirmuar trendin e vazhdueshëm të shtrenjtimit të produkteve të importuara. Të dhënat tregojnë se rritja e çmimeve është e përhapur në shumicën e sektorëve dhe po ndikon drejtpërdrejt në koston e jetesës së qytetarëve. Rritjet më të theksuara janë regjistruar te lëkura dhe artikujt e saj me 35,8% në baza tremujore dhe 24,3% në baza vjetore, produktet minerale me 10,4% (tremujore) dhe 7,9% (vjetore), si dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar me 8,2%. Po ashtu, rritje të ndjeshme janë vërejtur edhe te produktet shtazore (6,1% tremujore dhe 14,3% vjetore), pajisjet elektrike dhe makineritë (mbi 3%), si dhe ushqimi, pijet dhe duhani me 4,5% në baza vjetore – kategori që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve. Në anën tjetër, disa sektorë kanë shënuar rënie të lehtë, përfshirë produktet bimore (-4,6% në baza tremujore), letrën (-4,3% në baza vjetore) dhe metalet bazë, megjithatë këto ulje nuk kanë arritur të balancojnë rritjen e përgjithshme të çmimeve. Ekonomia e Kosova mbetet në masë të madhe e varur nga importi, çka bën që çdo lëvizje e çmimeve në tregjet ndërkombëtare të reflektohet menjëherë në tregun vendor.

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria ka bërë një hap historik në politikën e jashtme, duke shpallur Iranin si shtet mbështetës të terrorizmit

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, përmes një postimi në platformën X, ka falenderuar …