OVL e UÇK-së akuzon për ndikim në Hagë: Reagon ndaj deklaratave të ambasadorit Rainer Rudolph

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ambasadorit gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, duke ngritur dyshime për paanshmërinë e procesit gjyqësor në gjykatën speciale në Hagë. Në komunikatën e tyre, veteranët shtrojnë pyetjen pse kjo temë po rikthehet në vëmendje pikërisht tani, në prag të një vendimi të rëndësishëm nga gjykata. Sipas tyre, deklaratat e ambasadorëve mund të interpretohen si përpjekje për të parapërgatitur opinionin publik për një vendim të paracaktuar. “Pse po ngrihet kjo temë pikërisht tani nga ambasadorët? Kjo krijon përshtypjen se vendimi është i shkruar diku tjetër”, thuhet në reagim. OVL e UÇK-së thekson se komentet që përmendin mundësinë e “dënimeve apo lirimeve” nuk përfaqësojnë neutralitet diplomatik, por përbëjnë, sipas tyre, paragjykim të hapur të procesit dhe sinjal për ndikim të jashtëm në drejtësi. Nga ana tjetër, në intervistën e tij për RTK, ambasadori Rainer Rudolph kishte theksuar se gjykata speciale në Hagë është institucion që funksionon në përputhje me ligjet e Kosovës dhe se ambasada gjermane vetëm po ndjek me vëmendje procedurat gjyqësore. Këto zhvillime vijnë në një moment të ndjeshëm për proceset në Hagë, duke rritur tensionet mes organizatave të dala nga lufta dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Presion ndërkombëtar për Dialogun, Albin Kurti përballet me kritika për mungesë veprimi

Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron i kanë rikujtuar sërish kryeministrit të …