Në Fortesë të Rahovecit u përkujtua 27-vjetori i 68-të martirë të vrarë e të masakruar nga forcat terroriste serbe
Në këtë aktivitet përkujtimor mori pjesë kryetari i Rahovecit z. Smajl Latifi i cili në fjalën e tij deklaroi:
Ata e donin jetën në liri
Do të duhej të ishte ditë e zakonshme pranvere, kur bujqit e vyeshëm të kësaj ane bëhen gati për ta nisur edhe një sezon me punë të lodhshme. Ndonëse ishin të lodhshme ditët e netët e fshatarëve të Anadrinisë, megjithatë puna në fushë u jepte kënaqësi të madhe. Hapja e ugareve, mbjellja dhe korrja e të lashtave ishte dashuria më e madhe e këtyre njerëzve. Mirëpo, në pranverën e vitit 1999, jetët e tyre do të përmbyseshin. Shumë djem e burra u privuan dhunshëm nga jeta, ndonëse nuk e meritonin një fund të tillë.
Të respektuar familjarë të dëshmorëve, të nderuar miq e bashkëluftëtarë, të nderuar të pranishëm, e bëra këtë hyrje për ta dhënë një tablo më tokësore, një realitet të përjetuar brez pas brezi nga banorët e vyeshëm të kësaj ane dhe ata fat tjetër nuk kërkonin – donin të ishin të qetë e të tillë të punonin në arat e tyre dhe ta gëzonin jetën me më të dashurit e tyre, gjithnjë duke punuar me nder e përkushtim. Pra, e donin jetën, por e donin edhe lirinë. Me zgjedhën e pushtuesit në qafë, as nuk mund të punonin dhe as nuk mund të jetonin normalisht. Dhuna e zullumi po e pamundësonte rritjen e fëmijëve në trojet e të parëve. Prandaj, populli i kësaj ane e mbështeti fuqishëm Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ushtri që doli nga gjiri i këtij populli.
Ata që na vranë e persekutuan për një shekull, vazhduan ritualin e tyre të vdekjes edhe në këto lugina të këndshme ku pikoi djersa e gjyshërve tanë dhe ku gatuhej me ëndje buka e fituar me mund e me punë të ndershme. Ata e donin këtë tokë të begatë për pasardhësit dhe nuk dëshironin që mundin e tyre ta shfrytëzonin hienat e pangopura të Beogradit. Prandaj, nuk mund ta linin tokën e të parëve në duart e grabitqarëve gjakatarë. Ndonëse në Fortesë, brigjeve të lumit e tek Ura e Bellajës, gjaku rrodhi rrëke, u vranë e u masakruan 68, por dëshirën për liri nuk na e vranë dot.
Pikërisht për shkak të këtij përkushtimi e të kësaj sakrifice madhore jemi të obliguar që të qëndrojmë të lidhur fort për këtë tokë dhe ta ndërtojmë jetën e brezave mbi rrënojat e shtëpive të djegura, mbi hirin e tokës së djegur dhe t’i nderojmë e t’i kujtojmë me respekt deri në përulje të gjithë njerëzit që dhanë jetën në këtë vend. Këto jetë të nënave e të baballarëve tanë, të fëmijëve e të pleqve, të këputura në mes, na bëjnë të ndiejmë peshën e madhe të përgjegjësisë që kemi për amanetin e të rënëve.
Gjaku që e ujiti tokën atë ditë pranvere në Fortesë, bëri që këtu të rriten filiza të rinj e të vazhdojnë përpjekjet për liri dhe të jetojnë me dinjitet njerëzor e kombëtar në tokën e të parëve.
Ky gjak, kjo sakrificë na obligon të vazhdojmë, duke mos ndier lodhje asnjëherë, për të bërë më të mirën për njerëzit tanë. Të qëndrosh në këto pozicione është nder e detyrim, por edhe përgjegjësi. Ne këtë e ndiejmë në punët tona të përditshme. Ky është obligimi që i kemi vënë vetes, sepse kështu na obligon gjaku i derdhur, na obligojnë të gjitha këto varre dhe lotët e nënave, të motrave e të fëmijëve, që me lot në sy e me zemra të thyera kërkojnë drejtësi. Duke nderuar kujtimin për të rënët, nderojmë sakrificat e mëdha të këtij populli që aq shumë e deshi lirinë, duke dhënë gjërat më të shtrenjta.
Prandaj, jemi këtu para jush për ta përsëritur zotimin tonë se do të jemi gjithnjë krah atyre që gjithë këto vite vuajtën mungesën e më të dashurve të tyre. Ky shpagim mund të bëhet vetëm nëse i shërbejmë këtij populli me nder e përkushtim. Në këtë mënyrë e përmbushim amanetin e dëshmorëve dhe të martirëve tanë të shumtë.
Të respektuar familjarë të dëshmorëve e martirëve, të nderuar të pranishëm, e ndiejmë peshën e përgjegjësisë karshi jush, karshi këtyre varreve dhe karshi historisë. Gjaku ujë nuk bëhet dhe ne jemi të vetëdijshëm për obligimet tona.
Duke nderuar kujtimin për të rënët dhe duke punuar me përkushtim konsideroj se po i qëndrojmë besnik betimit të ushtarit të UÇK-së dhe frymës së fundit të atyre që ranë në Fortesë e kudo tjetër në këtë tokë të butë e të pëlleshme. Kontributi i njerëzve tuaj të dashur është themeli i kësaj fjale kaq të dashur për të gjithë ne dhe ne duhet ta çmojmë këtë flijim – Liri!
Ndiejmë dhimbje dhe krenari për humbjet që përjetuam, por luftën e fituam ndaj pushtuesit, dhe nga qershori i 1999, jetojmë të lirë dhe me dinjitet në trojet tona të lara me lot, me djersë dhe me gjakun e dëshmorëve e të martirëve.
Lavdia dhe respekti ju takon të gjithë atyre që ranë në rrugëtimin e lirisë, ndërsa neve obligimi për të jetësuar amanetin e tyre.
Duke ju dëshiruar shëndet e mbarësi në familjet tuaja, ju ftoj që njëkohësisht të jetoni edhe me krenarinë e atyre që vunë jetët e tyre në themelet e lirisë tonë.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të kombit!