Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, sot ka pritur në takim përfaqësues të Bashkësisë Islame në Malishevë, të udhëhequr nga kryetari Sead Paçarizi, si dhe përfaqësues të komunitetit të qytetit, ku u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në shërbim të qytetarëve.
Kryetari Ekrem Kastrati u shpreh i gatshëm për ta vijuar bashkëpunimin pozitiv edhe në të ardhmen, duke theksuar rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional dhe me komunitetin.
Gjatë takimit u fol edhe për projektin e ndërtimit të Xhamisë së Gurit në qendër të qytetit. Kryetari e cilësoi këtë si një projekt shumë të mirë, i cili do t’i shërbejë komunitetit mysliman në të ardhmen.
Po ashtu, ai theksoi përkushtimin e tij ndaj vlerave kombëtare dhe tolerancës fetare, duke vlerësuar bashkëjetesën dhe respektin ndërmjet komuniteteve si një pasuri të çmuar të shoqërisë sonë.