27 vjet nga rënia heroike e Shkëlzen Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve – kujtesë e gjallë e sakrificës për liri

Me homazhe dhe nderime të larta në Kompleksin Memorial në Gllogjan, është përkujtuar 27-vjetori i rënies heroike të dëshmorëve të kombit Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Luan Nimanaj dhe Hasim Halilaj. Në këtë përvjetor, familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë u mblodhën për të nderuar sakrificën e tyre, duke rikujtuar një nga momentet më të rëndësishme të luftës për liri në Kosovë. Ata ranë në mbrojtje të civilëve shqiptarë në Duboçak të Maznikut, duke u përballur me një ekspeditë të madhe të forcave serbe. Kryetari i AAK-së dhe ish-komandanti Ramush Haradinaj theksoi se prilli i vitit 1999 ishte një periudhë vendimtare, ku duhej zgjedhur mes përballjes dhe pasojave tragjike për popullsinë civile. Sipas tij, vendimi për t’u përballur me forcat serbe nuk ishte urdhër, por akt i vetëdijshëm dhe i guximshëm i vetë luftëtarëve. “Heronjtë që kujtojmë sot morën vetë vendimin për të ndalur një ekspeditë të madhe ushtarake që rrezikonte jetën e qindra familjeve shqiptare. Ata nuk lejuan që të ndodhte masakra mbi civilët e pambrojtur”, u shpreh Haradinaj. Ndërsa nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, e cilësoi 16 prillin 1999 si një nga ditët më të rënda, por edhe më të lavdishme të luftës, duke theksuar se heroizmi i luftëtarëve të Gllogjanit mbetet një testament i përjetshëm për brezat. “Gllogjani atë ditë nuk humbi vetëm bijtë e tij, por i dha historisë shembullin se si fitohet liria. Shkëlzen Haradinaj ishte udhërrëfyes, frymëzim dhe simbol i sakrificës për Kosovën e pavarur”, tha ai. Pas homazheve, pjesëmarrësit vijuan me ecjen tradicionale “Shtegu i Lirisë”, nga Gllogjani drejt Maznikut – rrugë që simbolizon përkushtimin dhe sakrificën e luftëtarëve në betejën ku ranë heroikisht.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxhaj: Serbia avancon me SHBA-në, Kosova humb terren diplomatik nga qasja e Qeverisë Kurti

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka kritikuar ashpër politikën e jashtme të Qeverisë …