Agron Xhemajli: KONJUFCA I MËRZITUR PSE DIALOGU ME SERBINË NUK PO ECË PËRPARA

Në një paraqitje publike, ministri Konjufca deklaroi se dialogu me Serbinë ndodhet në gjendje të rëndë, duke përmendur si shkak ndërhyrjet e Serbisë, përfshirë edhe rastin e Banjskës.

Duhet të jetë mërzitur shumë ministri derisa këtë e tha përpara të deleguarit të BE-së për dialogun, bile kishte edhe tone keqardhjeje në fjalën e tij.

Ai mërzitet pse është ndërprerë dialogu fatal për integritetin e shtetit. Dialog që i dha Serbisë autonomi brenda territorit sovran. Dialog që prishi sovranitetin, cenoi tërësinë territoriale, dhe atë jo pse na e mori Serbia me forcë, por sepse iu dha me vullnet në tavolinë, në Bruksel më 2023. U duket pak ajo që iu dha Serbisë me Planin e Ahtisaarit, prandaj ia rritën fitimin me dialog, me siguri për t’ia kompensuar ca humbje që pësoi ajo nga lufta çlirimtare.

Të gjitha “gjeneratat” në pushtet pas luftës kanë dorë në këtë, kush më shumë e kush më pak. Në lëshimet ndaj Serbisë, këta të gjithë janë përgjegjës.

Si arriti Serbia që nga katër a pesë komuna, kur ishte shumicë, pas pavarësisë t’i ketë dhjetë komuna? Kush ua dha? Kuvendi i Kosovës. Serbia në Kuvendin e Kosovës që i themeloi këto komuna kishte vetëm 10 vota, shqiptarët i kishin 100. Vetë ia dhamë asaj ndikimin brenda territorit dhe pushtetit tonë të pavarur.

Tani ministri “hidhërohet” se Serbia saboton dialogun. Sa herë Serbia sillet sikur nuk do dialog, ajo përfiton edhe më shumë. Taktikë e njohur diplomatike. Edhe rasti i Banjskës në këtë drejtim shkon. Serbia nuk është e orientuar kah “fitorja me luftë”, por kah fitorja me dialog. Dhe kjo rrugë i ka dalë shumë më fitimprurëse.

Konjufca është më i ndershëm nëse i tregon opinionit pse qeveria e tij ia dha autonominë Serbisë në veri, në marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit më 2023. Kaq e thjeshtë është ndershmëria. Nuk ka nevojë për ankesa e lot krokodili. As faktori ndërkombëtar nuk mund të fajësohet për këto vendime unanime të Kuvendit të Kosovës dhe të Qeverisë, që shkuan në dobi të Serbisë. Partia e ministrit në fjalë e ka të lehtë t’i anulojë marrëveshjet e kaluara për të cilat, kur i duhej pushteti, thoshte se janë të dëmshme. Po sot që është në pushtet dhe i ka mekanizmat në dorë, pse nuk i ndal ato marrëveshje të këqija? Përkundrazi, përveç që nuk i ndal, ajo e rrit dëmin: nga asociacioni i marrëveshjes së 2013 e ngriti në autonomi për pakicën serbe, respektivisht për Serbinë.

Puna edhe më keq! Kur kryeministri solli në Kuvend marrëveshjen nga Brukseli në 2023, të gjitha partitë e pranuan dhe kërkuan bile që ajo të nënshkruhej sa më parë. Kryeministri vetë e kishte pranuar i pari, dhe përfiton politikisht me shtyrjen e zbatimit të saj të menjëhershëm, deri në një moment tjetër, me arsye konkrete që nuk janë subjekt i këtij shkrimi.

Po të ishte Konjufca parimor dhe patriot, atë dialog do ta prishte ai, e jo Serbia.

Ndërhyrja në Banjskë mund të kishte shkuar në favorin tonë dhe ishte rast për të ndalur dialogun dhe për të rishikuar të gjitha marrëveshjet që shkuan në dobi të Serbisë. Megjithatë, u lidhën marrëveshje të dëmshme dhe më pas opinioni mashtrohet duke u kritikuar publikisht ato që vetë janë nënshkruar më parë.

Po të kishim në pushtet politikanë patriotë, do të nxirrnim shumë përfitime nga ajo ndërhyrje e armatosur në veri, por nuk kemi. Kështu si Konjufca, i cili shqetësohet për prishjen e dialogut, jo për përmbajtjen e marrëveshjeve.

Dialogu duhet të jetë “në gjendje të rëndë” jo nga Serbia, por nga ne, po të kishim pushtet normal në fuqi.

Nëse këtë nuk e bën pushteti apo opozita, dhe nuk pritet një ndryshim i tillë nga ata, atëherë duhet të vijë nga presioni i popullit.

Kontrolloni gjithashtu

Milaim Sylejmani

Milaim Sylejmani: Kur Vota shndërrohet në mall pazari!

Kah shkuan 349.5 milion?! Në prag të proceseve të njëpasnjëshme zgjedhore, financat publike u përballen …