Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka ngritur kritika të forta ndaj Qeverisë së Kosovës për mënyrën e menaxhimit të krizës ekonomike, duke vlerësuar se masat e ndërmarra deri më tani kanë dëmtuar bizneset dhe kanë rënduar jetën e qytetarëve. Shahini deklaroi se institucionet shtetërore kanë në dispozicion mekanizma të shumtë për të ndërhyrë në treg, por sipas tij, Qeveria ka zgjedhur vazhdimisht të kufizojë fitimin e bizneseve, pa ofruar mbështetje konkrete për konsumatorin. Ai kritikoi gjithashtu Projektligjin për çmimet tavan, duke theksuar se ai përmban mangësi dhe nuk duhet të shndërrohet në udhërrëfyes të zhvillimit ekonomik, por të përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme. Sipas Shahinit, mungesa e veprimeve konkrete si ulja e TVSH-së apo heqja e akcizës në derivate, e kombinuar me rritjen e çmimit të energjisë elektrike, ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës për qytetarët. Ai vuri në pah edhe mungesën e një strategjie të qartë për mbështetjen e prodhimit vendor, duke theksuar se prodhuesit në Kosovë ndodhen në një situatë të rëndë dhe të pambështetur. “Prodhimi vendor përballet me kosto të larta, nga energjia elektrike deri te derivatet dhe shërbimet, çka reflektohet drejtpërdrejt në çmim”, tha ai, duke shtuar se mungesa e subvencioneve dhe politikave zhvillimore e ka thelluar krizën në këtë sektor. Shahini paralajmëroi se pa një qasje më të balancuar dhe mbështetje reale për ekonominë, Kosova rrezikon të humbasë një tjetër vit në zhvillim ekonomik dhe në përfitimin e fondeve ndërkombëtare, përfshirë ato të Bashkimit Evropian.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
