Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka deklaruar se faturat e energjisë elektrike nuk do të pësojnë rritje, duke e cilësuar këtë si rezultat të presionit qytetar dhe reagimit publik ndaj institucioneve përgjegjëse. Sipas saj, mos rritja e çmimeve është dëshmi se kërkesat e drejta japin rezultat kur mbrohen me vendosmëri. Ymeri tha se qytetarët meritojnë drejtësi dhe llogaridhënie për mjetet që paguajnë. “Përfundimisht, faturat e rrymës nuk po rriten. Kjo e vërteton edhe njëherë se kur qëndrojmë stoikisht në kërkesat tona, fitojmë atë që me të drejtë na takon dhe që një qeveri ua ka borxh qytetarëve”, ka shkruar ajo. Deputetja opozitare falënderoi qytetarët, mediat dhe të gjithë ata që, sipas saj, kontribuuan në ngritjen e presionit publik përmes reagimeve dhe denoncimeve të padrejtësive. Sipas saj, ekziston rreziku i reduktimeve të energjisë, jo për shkak të investimeve në rrjet, por për mungesë të importit të nevojshëm të rrymës. “Pres që muajt në vijim të ketë reduktime, jo për shkak të investimeve, por për mungesë të importit të energjisë. Ne do të jemi këtu për të kërkuar jetën që e meritojmë dhe llogaridhënie”, theksoi Ymeri.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
