Më 30 prill 2021 përkujtohet komandanti, Ilaz Kodra, vëllezërit Adem e Xhafer Gashi, dhe të gjithë rënët në Verboc të Drenasit

Ilaz Ismajl Kodra (3.5.1966 – 30.4.1999)

Prekazi, veçmas: Jasharët, Mehajt, Kodrajt dhe Lushtakë,t si në të kaluarën ashtu edhe në epopenë lavdiplote të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë dhënë shembujt më të lartë të sakrificës dhe heroizmit për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb. Në vitin 1991 një grup atdhetarësh nga Kosova, Zvicra e vende të tjera, me Adem Jasharin në krye, u stërvitën ushtarakisht në Shqipëri, për luftë të armatosur, guerile. Adem Jashari, i pari krijoi grupin e Drenicës dhe në vitin 1992 filloi aksionet e para luftarake. Më 5 prill 1993, në kullën e tij u organizua një mbledhje me luftëtarët e njësiteve guerile dhe veprimtarët politikë. Adem Jashari propozoi që të gjitha aksionet të kryheshin në emër të Ushtrisë së Kosovës. Në këtë mbledhje u mor vendimi për emërimin e Adem Jasharit Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë së Kosovës, e cila në vjeshtën e vitit 1994, me pëlqimin e tij mori emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ilaz Kodra lindi më 3 maj të vitit 1966 në Prekaz. Klasët e para të shkollës fillore i kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme, gjimnazin, i ka kryer në Skënderaj. Pas kryerjes së shkollës së mesme, regjistrohet në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak në armatën jugosllave e ka kryer në Slloveni.
Ndikimi atdhetar që kishte ushtruar te rinia përparimtare dhe revolucionare e Prekazit e më gjerë, akti heroik dhe qëndresa e Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të vitit 1981, kundër policisë jugosllave, i kishte dhënë impulse idesë së vazhdimit pa kthim të rezistencës së armatosur kundër pushtuesit. Edhe Ilazi, ashtu si më parë Adem dhe Hamëz Jashari, kishte mendime identike lidhur me nevojën e fillimit të luftës së armatosur, në kohën kur po shihej mirëfilli se Jugosllavia do të shpërbëhej dhe kur tashmë kishte filluar shkatërrimi i saj me ndarjen e Sllovenisë dhe me fillimin e luftës në Kroaci e më vonë edhe në Bosnjë e Hercegovinë.
Me qëllim për të vepruar së bashku, Adem Jashari, Hamëz Jashari, Ilaz Kodra dhe shumë bashkëmendimtarë të tyre kanë formuar bërthamën e parë të njësitit të armatosur, të njohur fillimisht si Ushtria e Kosovës, e cila disa vite më vonë do të quhej: Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Ilaz Kodra mbante kontakte ilegaliteti me komandantin Adem Jashari dhe me pjesëtarët e bërthamës së parë çlirimtare të Drenicës. Ata, në vitin 1991 kishin kaluar kufirin edhe ishin futur ilegalisht në Shqipëri, me qëllim për t’u stërvitur dhe për t’u armatosur. Atje, me dijeninë e presidentit të vendit, Ramiz Alia, ishte caktuar një grup oficerësh shqiptarë: Ylli Mici, Hysen Imeri, Agron Dhimarko e të tjerë, të cilët morën pjesë në stërvitjen e tyre ushtarake, meqë ata ishin përcaktuar për luftë të armatosur kundër pushtuesit dhe jo për politikën pacifiste të pritjes dhe durimit deri në skllavëri e nënshtrim.
Stërvitja e Adem Jasharit, komandantit legjendar të UÇK-së, Ilaz Kodrës, Zahir Pajazitit dhe shumë të tjerëve, edhe pse ishte mbajtur top sekret shtetëror, qysh gjatë asaj kohe e kishte zbuluar shërbimi sekret serb, përmes informatorëve të vet në Tiranë, në mërgatë dhe në Kosovë.
Në aktvendimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, lidhur me ndjekjen që kishte filluar kundër Adem Jasharit, Ilaz Kodrës dhe 13 bashkëluftëtarëve të tyre, shkruan: PP. nr. 136/36, nga data 4.10.1996 me datën 6.10.1996 merr këtë aktvendim mbi zbatimin e hetimeve kundër: Adem Jasharit, Ilaz Kodrës, Besim Ramës, Avni Nurës, Jakup Nurës, Fadil Kodrës, Nuredin Lushtakut, Rafet Ramës, Sami Lushtakut, Rexhep Selimit, Hashim Thaçit, Sahit Jasharit, Zenun Kodrës, Ali Januzit dhe Idriz Asllanit.
Të gjithë këta sipas aktakuzës së regjimit okupator serb akuzohen se “në gjysmën e dytë të vitit 1992, pas qëndrimit të tyre në Republikën e Shqipërisë, ku së bashku, ushtarakisht janë stërvitur me pjesëtarët e armatës shqiptare nën komandën e eprorëve të tyre. Në territorin e komunës së Skënderajt kanë formuar grupin “terrorist armiqësor” dhe së bashku me shumë persona ende të paidentifikuar janë bërë anëtarë të të njëjtit grup, kanë filluar armatosjen e grupit dhe për këtë qëllim kanë siguruar sasi të madhe të armëve, municionit dhe të mjeteve eksplozive, pushkë, automatikë, pushkë me snajper, revolverë, bomba dore, mina, trombllonë dhe pajisje të ndryshme ushtarake. Prej tyre një pjesë e kanë sjellë nga Republika e Shqipërisë, pastaj rregullisht, nga gjysma e dytë e vitit 1992 e deri në fund të shtatorit të vitit 1996, në mal, në afërsi të fshatit Prekaz i Ulët, kanë stërvitur shkathtësitë ushtarake, përdorimin e armëve të zjarrit, rregullisht kanë stërvitur në gjuajtjen e tyre në shenjë, kanë mbajtur mbledhje ilegale, më së shpeshti në Prekazin e Ulët, në të cilat mbledhje janë marrë vesh dhe kanë planifikuar kryerjen e aksioneve të armatosura në territorin e komunës së Gllogovcit, Pejës, Vuçitërnës dhe Mitrovicës dhe pas këtyre përgatitjeve të bëra me qëllim të rrezikimit të rregullimit kushtetues dhe sigurimit të RFJ kanë ndërmarrë aktet e dhunës në territoret e këtyre komunave. Sipas marrëveshjes paraprake, në të njëjtën kohë dhe në bashkëveprim me grupet e tjera terroriste, të cilat këto akte në mënyrë të vazhdueshme i kanë kryer në territorin e Kosovës, me ç’rast me dashje kanë privuar nga jeta 4 persona dhe kanë tentuar që t’i privojnë edhe 16-të persona të tjerë, me çka te qytetarët kanë krijuar ndjenjën e pasigurisë.”.
Qysh në vitin 1991, Ilaz Kodra bashkë me Adem Jasharin, ka shkuar në Shqipëri, ku ka kryer stërvitjet ushtarake dhe ka mësuar taktikat e sulmit dhe të tërheqjes. Ai e ka kaluar kufirin shqiptaro-shqiptar ilegalisht disa herë. Një kohë të shkurtër qëndroi edhe në Gjermani, në Mynih ku kishte zhvilluar një aktivitet të fortë atdhetar dhe kishte bindur bashkatdhetarët që ta ndihmojnë luftën dhe të rreshtohen në radhët e UÇK-së.
Në periudhën para fillimit të luftës së hapur kundër forcave pushtuese serbe, Ilaz Kodra mori pjesë aktive në forcimin e njësiteve luftarake të UÇK-së, në mobilizimin e vullnetarëve. Po ashtu ai mori pjesë edhe në betejën e njohur të Rezallës së Re, (Ish-Ludovik) betejë kjo që u zhvillua më 26 nëntor të vitit 1997.
Më 22 maj të vitit 1993, Ilaz Kodra, Sami Lushtaku, Besim Rama, Rafet Rama, Jakup Nura dhe Fadil Kodra, të armatosur me pushkë automatike, kanë zënë pritë në afërsi të rrugës në kalimin hekurudhor në hyrje të Drenasit, nga ku rreth orës 22.40 minuta kanë hapur zjarr me rafal kundër milicëve të ndërrimit të tretë të MUP-it serb, në Drenas, mbi veturën zyrtare të policies, me ç’rast janë vrarë policët Zvonko Jevtiq dhe Nebojsha Gjorgjeviq, kurse lëndime të rënda trupore kanë marrë policët Zoran Iliq dhe Sinisha Mirosavleviq, ndërsa lëndime të lehta trupore kanë marrë policët Bojan Mladenoviq, Miroljub Milenkoviq dhe Predrag Perishiq. Policët e MUP-it të Serbisë, Safet Gashi dhe Sinan Stefanoviq nuk kanë pësuar lëndime. Ky sulm i armatosur kundër nëntë policëve serbë, të cilët për çdo ditë maltretonin dhe përdhunonin shqiptarët në Drenicë, po i ngjallte shpresat e popullatës liridashëse, e cila tashmë ishte bindur se lufta për çlirimin e Kosovës nuk do të vononte.
Para dhe pas këtij sulmi, Ilaz Kodra ashtu sikur të gjithë bashkëluftëtarët e legjendarit Adem Jashari, së bashku me të ka jetuar ilegalisht dhe ka marrë pjesë në aksione të ndryshme kundër policisë serbe në Drenicë, Mitrovicë, Pejë Dukagjin e gjetkë.
Pas betejës së Legjendarit Adem Jashari dhe të Jasharëve të tjerë në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, bashkëluftëtarët e Komandantit Legjendar vazhdojnë veprimet luftarake duke e zgjeruar UÇK-në pothuajse në çdo fshat të kësaj ane. Ilaz Kodra, Fehmi Lladrovci, Abedin Rexha e të tjerë ishin kthyer në Drenicë së bashku me familjet e tyre. Po ashtu, frontet e luftës ishin zgjeruar edhe në Dukagjin, Anadrin, Neredime, në Shalë e në Llap.
Ilaz Kodra ishte pjesë e kreut të luftës në Drenicë. Së bashku me Sami Lushtakun, Hashim Thaçin, Sylejman Selimin, Mujë Krasniqin, Rexhep Selimin, Nuredin Lushtakun, Fehmi Lladrovcin, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Abedin Rexhën, Musë Jasharin, Sahit Jasharin, Shaban Shalën, Fadil Kodrën, Zenun Kodrën, Ilaz Dërgutin, Asllan Fazliun, Besim Malën, Sabit Llardovcin e shumë të tjerë, komandant Ilaz Kodra ka marrë pjesë si në organizimin dhe strukturimin e luftës çlirimtare, ashtu edhe në zhvillimin e saj në terren, në malet e Qyqavicës dhe gjithandej në Drenicën Qendrore.
Pas rënies së Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqit-Lladrovci në altarin e lirisë, më 22 shtator të vitit 1998, Ilaz Kodra u caktua komandant i kësaj brigade, e cila mori emrin e komandantit të saj të parë, Fehmi Lladrovci.
Në krye të kësaj brigade, komandanti Ilaz Kodra ofroi rreth vetes luftëtarë të përkushtuar. Gëzonte respektin e luftëtarëve për shkak të qëndrimit të tij të drejtë dhe parimor në raport me organizimin dhe luftën kundër forcave pushtuese. Ilazi ishte kudo ku luftohej. Në luftë ishin mobilizuar edhe shumë të afërm të tij të lagjes Kodra si Samiu, Hasani, Nysreti, Zenuni, Fadili, Sabriu, Emini, Haliti, Hajdini, Hetemi, Bekimi e shumë të tjerë
Rrezja e veprimit luftarak të Brigads 114, “Fehmi Lladrovci” e Zonës Operative të Drenicës shtrihej në një pjesë të Qyqavicës, prej Kronit të Mbretit, në Vasilevë në Drenas, Verboc, Shtuticë, Baks, Qirez, Marinë, Dashevc, Prekaz, Polac, Prelloc, Skënderaj e deri në Tërnac.
Në prill të vitit 1999, forcat okupatore serbe të goditura ashpër nga aeroplanët e NATO-s mllefin dhe zemërimin po e derdhnin kundër popullatës civile, duke pushkatuar e masakruar kudo ku ata bënin përpjekje të mbijetonin, në kushte dhe rrethana të një rrethimi të hekurt. Popullata liridashëse e Drenicës gjallonte nëpër gryka malesh, nëpër lugina lumenjsh dhe shpeshherë nën qiell të hapur.
Me të marrë lajmin se forcat serbe po bënin përpjekje të mësynin popullatën civile në fshatin Verboc e Shtuticë, Ilaz Kodra niset për t’i shkuar në ndihmë popullatës. “Atë mbrëmje isha edhe unë me të, – thotë bashkëluftëtari i tij i ngushtë, Zenun Kodra. Ditën që shkuam atje ishte vonë. Komandanti më urdhëroi që të ndaloja në Shtuticë ndërsa vetë me disa bashkëluftëtarë u nis për në Vërboc. Në mëngjes herët, rreth orës 5.30 fillon breshëria e sulmit nga forcat armike, të cilat kishin rrethuar vendi në formë patkoi. Ilaz Kodra, në luftë ballë për ballë kundër forcave serbe, bie në altarin e lirisë më 30 prill të vitit 1999, në fshatin Shtuticë”.
“Ilaz Kodra ka qenë burrë shumë i urtë dhe besnik, shok i pandarë i Adem Jasharit dhe luftëtar tejet i zhdërvjellët për aksione guerile. Ka qenë burrë i fjalës dhe i pushkës. Nuk duronte padrejtësi dhe mbronte gjithmonë të vërtetën. Ilazi ka qenë pjesëmarrës i të gjitha luftërave në Drenicë dhe rrethinë”, është shprehur bashkëluftëtari i tij, kryesuesi i drejtorisë Politike të UÇK-së gjatë luftës, Hashim Thaçi, aktualisht kryeministër i Kosovës.
Ilaz Kodra ka qenë trim. Ai ka marrë pjesë edhe në sulmin kundër policisë serbe në Drenas, (ish-Gllogoc) ndërkohë që ka marrë pjesë në të gjitha luftimet që janë zhvilluar në Drenicë deri në ditën e rënies së tij, në fshatin Shtuticë më 30 prill të vitit 1999, thotë bashkëluftëtari i tij, Sami Lushtaku, komandant i Zonës Operative të Drenicës gjatë luftës së UÇK-së në Kosovë.
Ilazi ka qenë i martuar më Kimetën dhe ka lënë vajzat: Sumenë dhe Krenaren. Ai ka lënë edhe vëllezërit nga babai, Sejdiun dhe Avniun, si dhe motrën, Fazilen. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Dëshmori i kombit, Ismajl Kryeziu, ka lindur më 20 shkurt të vitit 1965,  në Arbanë …