Kadri Hajrë Kuliqi (30.1.1951 – 10.6.1999)

Kadri Hajrë Kuliqi (30.1.1951 – 10.6.1999)

Gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rajoni i Drenicës ka dhenë më së shumti dëshmorë e martirë, krahasuar me numrin e popullatës. Tradita çlirimtare e banorëve të kësaj pjese të Kosovës, historikisht ka qenë më e shprehur, ndërsa heroizmi dhe sakrifica e   dëshmuar në Prekaz më 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998, i dha hov luftës për liri, jo vetëm në Drenicë, p0r kudo në Kosovë dhe në të gjitha trevat shqiptare.

Në mesin e qindra dëshmorëve të kombit nga fshatrat e kësaj treve të Atdheut, është edhe Kadri Hajrë Kuliqi nga fshati Abri e Poshtme, në komunën e Skënderajt.

Kadriu ishte djali i Hajrë Kuliqit dhe Hanife Qorrit-Kuliqi. Ai lindi më  30 janar të vitit 1951. Shkollë fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa mësimet e shkollës së mesme i mori në Skënderaj. Me qëllim për ta ndihmuar dhe për ta ngritur familjen, ai ishte angazhuar në punë të ndryshme, fillimisht në bujqësi pastaj edhe punë të tjera, përmes së cilave siguronte ekzistencën familjare.

Kadriu kishte edhe një vëlla Qazimin, si  dhe motrat: Tahire Kuliqi – Isufi dhe Fazile Kuliqi – Gashi.

Në  qershor të vitin 1993, pati një përpjekje për arrestim nga serbët  vendorë pa uniforma, të cilët falë gjeturisë momentale kishte arritur t’ i çarmatoste dhe armët e tyre i kishte dorëzuar, Ejup Qorrajt. Prej asaj kohe, milicët e regjimit të Millosheviqit fillojnë ta kërkojnë për ta arrestuar.

Kadri Kuliqi, ka marrë pjesë në aktivitetet organizative politike, në pajtimin e gjaqeve  e në manifestime të ndryshme  vitet 90-të shekullit të kaluar.

Ka qenë pjesëmarrës në mesin e popullatës që mori pjesë në varrimin e mësuesit dëshmor,  Halit Geci në Llaushë, më 28 nëntor të vitit 1998, kur  kishte dalë publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ka mbajtur kontakte ne grupet e çlirimtarëve në Abri, Likoc e gjetkë.

Më 15 maj të vitit 1998, kuçet në radhët e UÇK-së në Likoc, ku edhe fillon të kryejë detyrat që i ngarkoheshin. Fillimisht ishte caktuar në pikë ushtarake të quajtur, “Ferra”.

Me rastin e  ristrukturimit të UÇK-së, në tetor të vitit 1998, luftëtari Kadri Kuliqi, iu kishte bashkuar Brigadës Mujë Krasniqi, Batalionit të Parë, në strukturat përgjegjëse.

 Stërvitjet ushtarake i ka kryer në fshatin, Negrovc.

Bashkëluftëtarët e tij më të ngushtë gjatë kohës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë qenë: Xhavit Ferizi, Shaqir Asllani, Latif Smakiqi, Hysni Kuliqi e të tjerë. Gjatë shërbimit të tij në radhë e UÇK-së ka qenë i angazhuar në fshatrat: Abri, Rezallë,  Likoc, Makermal, Kryshec, Llapushnik, Kievë, Gjurgjicë, Dollc, Terstenik, e vende të tjera.

Në ditët  kur po përfundonte lufta, kishte shkuar në fshatin Abri ku e kishte familjen me qëllim për t i larguar nga vendi ku ishin strehuar, e  për t’ i dërguar në shtëpinë, të cilën e kishte në Skënderaj. Befasisht bie në një pritë të organizuar nga serbët, të cilët fillojnë të shtinë me armë të ndryshme në drejtin të Kardiut dhe familjes së tij. Duke u përpjekur për ta  ruajtur familjen nga masakrimi, ai pas disa kacafytjeve, e plagosin dhe  kapet i gjallë. Me atë rast  ishin plagosur edhe disa anëtarë të familjes së tij.

Prej asaj dite, nuk dihet fati i luftëtarit të lirisë, Kadri Hajrë Kuliqi. Trupi i tij ende nuk është gjetur.

Ai ka lënë bashkëshorten: Fetije Duli-Kuliqi  si dhe bijtë e bijat: Blerimin, Feriden, Afërditën, Adilen dhe Fitoren. Kadriu ka qenë një luftëtar i përkushtuar i çlirimit të atdheut. Ishte i afërt me familjen e shokët. I gatshëm për të ndihmuar gjithsecilin në nevojë. Kishte respekt për eprorët dhe bashkëluftëtarët, të cilët i donte dhe e donin.

Familja e dëshmorit: Kadri Hajrë Kuliqi ka marrë mirënjohje e falënderime nga Shoqatat e dala nga Lufta e Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës dhe nga Kuvendi Komunal i Komunës së Skënderajt.

Emri i tij është i  gdhendur në pllakën e Kompleksit Memorial të Dëshmorëve, në Marinë.

 

Kontrolloni gjithashtu

Fetah Ahmet Gega (5.11.1964 - 2.5.1999)

Fetah Ahmet Gega (5.11.1964 – 2.5.1999)

Më 5 nëntor të vitit 1964, Ahmet Gegës, nga Studençani i komunës së Therandës (ish-Suharekë), i …