Brickos

Skyfter Milazim Arifi (1.1.1976 – 10.6.2001)

Skyfter Milazim Arifi (1.1.1976 – 10.6.2001)

Dëshmori Skyfter Arifi ka lindur në Gjilan, më 1 janar të vitit 1976. Pas lindjes së vëllait, Sokolit, prindërit e tij, Milazimi e Arifja, që prej disa vitesh po e pritnin me gëzim ardhjen në jetë të fëmijës së tyre të dytë. Atë e pagëzuan me emrin simbol që identifikon trimin shqiptar të shkathët, të zgjuar e atdhetar, -Skyfer. Tani, në çerdhen e familjes Arifi po rriteshin si dy zogj shqiponjash Sokoli e Skifteri. Mirëpo, pa mbushur vitin e plotë dhe ende pa e njohur mirë të vëllanë, Skyfteri mbetet si zogu i vetëm i qerdhes, pa Sokolin. Pas tij do të lindin vëllezërit Kushtrimi e Flamuri dhe motrat Arta e Iliriana.

Skyfteri ishte fëmijë i shëndetshëm, i hareshëm dhe plot gjallëri. Shkollën fillore dhe atë të mesme i mbaron në Gjilan. Me shokët e shkollës kishte krijuar raporte të sinqerta shoqërore, prandaj për të gjithë ishte i dashur e mirëpritur.

Emrit simbolik, trimërisë spartane dhe fizikut elegant të Skyfterit, kuptim të veçantë u jep edukata atdhetare me të cilën pajiset ai. Kjo edukatë ishte kultivuar tradicionalisht nga të parët e tij. Sapo arrin moshën e mbamendjes e të nxënit, ai do të rritet e do të bashkëjetojë me rrëfimet legjendare për trimin Idriz Seferi, përkrah të cilit kishte luftuar kundër pushtuesit osman edhe stërgjyshi i Skyfterit, Murtezi. Në shërbim të luftës për çlirimin e atdheut ishte vënë edhe babagjyshi, Shabiu, i cili me rastin e ripushtimit të Kosovës nga Serbia, në fund të Luftës së Dytë Botërore rreshtohet në formacionet e rezistencës kombëtare të udhëhequr nga Mulla Idrizi.

Në shpirtin dhe ndjenjat e Skyfterit nuk mund të mos ndikonte edhe fakti se të parët e tij ishin detyruar me përdhunë të shkulen nga trolli i tyre në rrethinën e Pirotit, prej nga rrjedh trungu i kara-Seferëve të anatemuar nga Porta e Lartë, pasardhëse e të cilit do të jetë edhe familja Arifi. Ata nguliten në malësinë e Karadakut, në fshatin i cili merr emrin Sefer. Krenaria e kësaj prejardhje ushqen familjen Arifi edhe pas vendosjes së saj në Gjilan.

I edukuar drejt dhe i frymëzuar me ideale çlirimtare, Skyfteri nuk mund të qëndronte indiferent kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës dha kushtrimin e luftës për liri. Në rrethanat e reja ai ra në kontakt me veprimtarë të çështjes kombëtare dhe së bashku me ta edhe vetë u angazhua të bëjë organizimin e celulave të UÇK-së në trevën e Gjilanit e në zonën e Karadakut. Këtë angazhim ai e konkretizoi duke marrë pjesë aktive në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si pjesëtar i brigadës 134 ‘’Bedri Shala’’ të Zonës Operative të Dukagjinit, por edhe në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, si pjesëtar i brigadës 113 ‘’Ismet Jashari’’ të Zonës Operative të Karadakut, në frontin e Sllupçanit.

Në fillim të muajit prill të vitit 1999, Skyfteri merr vëllain Flamurin dhe shkon në Shqipëri, me qëllim që të mobilizohet në UÇK. Ishte koha kur NATO-ja bombardonte caqet serbe në Kosovë, por edhe këto të fundit kishin intensifikuar barbarinë e tyre kundër popullsisë civile shqiptare. Brenda një kohe të shkurtër arrin të kontaktojë me eprorët përgjegjës ushtarakë dhe të sistemohet në formacionet e luftës, në kuardin e brigadës 134 ‘’Bedri Shala’’ të Zonës Operative të Dukagjinit, e cila operonte në vijën e zjarrit në trevën e Gjakovës, sidomos në fshatrat Smolicë.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, dëshmori Skyfter Arifi vazhdon karrierën ushtarake si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në paqe, e pastaj si pjesëtar i Gardës Kombëtare të Trupave të Mbrojtjes të Kosovës. Mirëpo, me përfundimin e luftës në Kosovë, nuk kishte marrë fund edhe zgjidhja e çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan. Në fillim të vitit 2000, zjarri i luftës çlirimtare u ndez edhe në Kosovën Lindore (Preshevë, Medvegjë e Bujanovc), trevë etnike shqiptare e mbetur nën sundimin e Serbisë. Tani bartëse e drejtimit të kësaj lufte u bë Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanovc (UÇPMB). Zëri i ndërgjegjes i fliste nga brenda Skyfterit se atdheu ende kishte nevojë për trima e luftëtarë dhe se liria kërkonte ende sakrifica, rënie e përjetësime. Prandaj, megjithatë gjen mënyrën për t’u angazhuar në ndihmë të UÇPMB-së në luftën e saj, sidomos në aspektin e logjistikës. Krah i kësaj ushtrie, me kohë ishte bërë edhe kushëriri i Skyfterit, Kastrioti, i cili bie në themelet e lirisë. Këtë luftë e ndihmuan edhe xhaxhai i Skyfterit, Hafizi, si dhe kushëriri tjetër, Azemi.

Në fillim të vitit 2001, lufta çlirimtare u përhap edhe në trojet shqiptare nën pushtetin maqedonas. Për ta fashitur zjarrin e kësaj lufte dhe për t’i shuar aspiratat liridashëse të shqiptarëve, maqedonomëdhenjtë imituan arrogancën dhe fanatizmin e mëparshëm të serbomëdhenjve në luftimin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Duke mos pasur forcë e zemër për t’u përballur me UÇK-në, ata që nga fillimi përdorën taktikën ushtarake të sulmeve nga ajri, duke bombarduar çdo pëllëmbë toke, ku çlirimtarët shqiptarë kishin hapur istikamet. Shumë fshatra shqiptare në rrethinën e Kumanovës, të Shkupit, e më vonë edhe të Tetovës, Gostivarit e të vendeve të tjera, u bënë shkrumb e hi nga zjarri i artilerisë maqedonasem mirëpo ky zjarr nuk mposhti as zbrapsi pasardhësit e komandantit legjendar, Adem Jashari. Këta kishin bashkuar forcën e zemrës me atë të armëve për t’u treguar pushtuesve të tokave shqiptare, por edhe bashkësisë ndërkombëtare se e drejta e popujve për të jetuar të lirë është e patjetërsueshme dhe se këtë të drejtë, herët a vonë do ta realizojë edhe populli shqiptar. Vatër e njohur e luftimeve të ashpra u bë sidomos fshati Sllupçan në trevën e Kumanovës, por edhe zonë e çliruar nga UÇK-ja. Në këtë kohë, Skyfterin nuk e mban dot dheu i Prishtinës. Forca kryengritëse e shpirtit të tij mund vullnetin dhe dëshirën për t’i shërbyer misionit për ngritjen e një force ushtarake të Kosovës, nga TMK-ja. Paraqet demobilizimin dhe vendos të vesh uniformën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Ishte pranvera e vitit 2001. Destinacioni i parë i tij në UÇK ishte Sllupçani. Aty vendosi të qëndrojë, të sistemohet në pozicionet luftarake dhe të luftojë, pa kursyer energjinë fizike e shpirtërore. Pjesë të trupit të tij bën mitralozin. Ai u sistemua në kuadrin e brigadës 113 ‘’Ismet Jashari – Kumanova’’, e cila veproi në zonën e Karadakut.

Në mëngjesin e 8 qershorit të vitit 2001, forcat militare maqedonase ndërmorën sulm të përqendruar ndaj pozicioneve të UÇK-së në Sllupçan. Këto pozicione sulmoheshin nga të katër anët: nga vendpërqendrimet e armikut në fshatrat Lubindrag, Umnidoll, Opajë, madje edhe nga Miratoca, fshat i komunës së Preshevës, ku ndodheshin forcat serbe. Ndërkohë dhjetëra automjete ushtarake arrijnë të depërtojnë tinëzisht nëpërmjet territorit të Serbisë, ndërmjet fshatrave Llojan e Vaksincë deri në afërsi të Sllupçanit. Skyfteri me disa bashkluftëtarë riorganizojnë njësitin për operim të shpejtë ‘’Shtatëshi vullnetar’’ i cili vendoset te vendi i quajtur Pika e bunarit. Luftimet vazhduan të ashpra edhe më 10 qershor, kur njësiti i Skyfterit vendoset te pika tjetër e luftës, e quajtur ‘’Kodra e gjakut’’. Njësitin e komandonte eprori Idaver Kaçaniku. Luftimet u zhvilluan ballë për ballë dhe në distancë të vogël. Në luftime e sipër, në fushën e nderit, në mbrojtje të tokave arbërore, ra petriti i Kosovës, Skyfter Arifi. Ra njëri prej atyre luftëtarëve që shkuan nga beteja në betejë për të çliruar tërë gjymtyrën e pranguara të atdheut, siç kishin ëndërruar dhe lënë amanet dëshmorët e kombit.

Pas rënies së të birit, armën e tij e ngjeshi i ati, Milazimi. Ai në Sllupçan kërkoi të vendosej në pozicionin ku kishte luftuar i biri, Skyfteri. Trupi i Skyfterit u varros nga bashkëluftëtarët, me dhembje e krenari, në varrezat e dëshmorëve në Sllupçan, ku edhe vazhdon të pushojë. Një dhomë më shtëpinë e prindërve të Skyfterit, në Gjilan, ka marrë formën e muzeut ku qëndrojnë të ekspozuara gjësendet të cilat ruhen për të kujtuar këtë dëshmor. Kujtimet për të ngjallin uniforma dhe pajisjet e tjera ushtarake që i kishte në frontin e luftës në Kosovë e në trojet etnike jashtë saj; uniforma e TMK-së, pjesëtar i së cilës ishte një kohë të caktuar; ora që e kishte në dorë në momentin e rënies; një grusht dheu të Sllupçanit i marrë në vendin ku kishte rënë Skyfteri, si dhe gjerdani i artë, në të varur figura e shqiponjës, të cilën ia kishte dhuruar e ëma, Arifja, me rastin e nisjes për në frontet e UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …