leoni

Shkëlzen Sylë Syla (1.1.1977 – 13.6.1998)

Shkëlzen Sylë Syla (1.1.1977 – 13.6.1998)

Morina heroike shekullore i ka qëndruar besnikërisht atdheut, duke i dalur përballë armikut osman e sllav, në betejat e shumta e të përgjakshme që nga Rilindja e këndej. Ishte fshat kufitar ndërshqiptar, që i ndejti besnik trollit të vet, me gjithë vështirësitë e jetesës së varfër malore, presionet e vazhdueshme për shpërngulje, përndjekjet dhe pasigurinë për jetesë. Qëndresa e tyre shekullore përcillej amanet brez pas brezi, me fjalë e këngë në shtëpi e në oda.
Ndër betejat e rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shquhet edhe ajo ku u dallua ushtari i shquar, dëshmori Shkëlzen Sylë Syla.

Shkëlzeni u lind në fshatin Morinë, afër kufirit të mallkuar ndërshiptar, komuna e Gjakovës, më 1.1.1977, në një fmilje të varfër, por me traditë patriotike. Ishte fëmija i katërt me radhë, ndër dhjetë fëmijët e prindërve Sylë e Hyrë Syla: Hasani, Shyhretja, Xhevahirja, Shkëlzeni, Shpendi, Zoja, Lulëzimi, Lumnia, Zejnia dhe Besimi.
Ishte trashëgimtar i një familjeje patriotike, kundërshtare e regjimit pushtues serb. Babai i tij, Syla, disa herë ishte keqtrajtuar nga UDB-eja. Ndërkaq edhe dy axhallarët e dëshmorit, Arifi dhe Haxhiu, kishin vdekur në moshë të re nga pasojat e torturave të shkaktuara nga policia serbe në aksionin e armëve, më 1955-6, për arsye se ishin nipa të Malësisë së Tropojës (të Madanëve të fshatit Shipshan).
Shkëlzeni mori pjesë në manifestime të ndryshme kundër shtypjes serbe, në Gjakovë e Rekë të Keqe.
Pas shkollimit fillor në Morinë e Ponoshec, gjimnazin e përgjithshëm e kreu në Gjakovë. Me profesion ishte mjeshtër i ndërtimtarisë, por merrej me të gjitha punët që i nevojiteshin familjes.
Kontaket e para me UÇK-në i pati që në vitin 1996, kur ra në kontakt me luftëtarët që kalonin andejpari për furnizim me armë, sidomos natën, kur mysafirë të viseve të ndryshme të Kosovës, kalonin andejpari, të ngarkuar me detyra patriotike dhe trokisnin në dyer të Morinës, për pushim, udhërrëfim e përcjellje. Asokohe, Shkëlzeni kontaktoi edhe me Ilir e Bislim Jusufin dhe Isuf Hoxhën nga Botusha, nga të cilët mori frymëzime dhe këshilla të vlefshme për detyrat që duhej t’i ketë çdo i ri për detyrimet që ka ndaj atdheut.
Më 25 prill 1998, Shkëlzeni mobilizohet ushtar fronti në shtabin lokal të Morinës. Mbante kallashnikov. Stërvitjet i bëri në vendlindje. Tri-katër herë ishte në Shqipëri për bartjen e armatimit.
Fillimisht u angazhua si vëzhgues. Bashkë me vëllazërit: Hasanin, Shpendin e Lulzimin, ishte i përqendruar kryesisht në Morinë, përballë forcave armike.
Më 25 prill 1998, kur shkrepi pushka e parë kundër pushtesit serb në dy kriminelët afër Ponoshecit, të ashtuquajtur Stari e Guta, Shkëlzeni i bashkohet luftës çlirimtare, fillimisht luftëtarëve për lirimin e banorëve pleq, gra e fëmijë të rrethuar nga forcat serbe e të zënë peng.
Atë ditë, në vendin e quajtur Boka, njësiti i Morinës u shkon në ndihmë, hap zjarr kundër armikut dhe arrin ta çajë rrethimin për 85 luftëtarë të UÇK-së të kthyer nga Shqipëria me armatim. Në këtë aksion dallohet dëshmori Shkëlzen Syla. Një aksion i tillë i suksesshëm ndodhi edhe më 3 maj 1998, gjatë sulmeve në Ponoshec, ku armiku u sulmua prapa shpinës nga njësiti i Morinës. Edhe në këtë rast Shkëlzeni tregoi guxim, trimëri dhe heroizëm të pashoq. Ndërkaq, Shkëlzeni u dallua si ushtar i guximshëm edhe në betejën e 10 majit 1998, ku armikut iu vra komandanti i karakollit së Qafë Morinës me dhjetëra ushtarë të tjerë. Betejat e tilla të suksesshme të njësitit të Morinës, ndër të cilët u dallua edhe Shkëlzeni, njëkohësisht bënë që armiku t’i përqendrojë të gjitha forcat ushtarake-policore, mercenare e paramilitare me gjithë armatimin modern, madje edhe potencialin ajror kundër Qafë Morinës, për ta rikthyer këtë pikë të rëndësishme strategjike, përndryshe kërcënohej rreziku i disfatave të reja në terren, siç ishte Kosharja e rajone të tjera në Dukagjin e në mbarë Kosovën.
Më 14 maj 1998, në një pritë të organizuar nga luftëtarët e Morinës e të fshatrave përreth, ndër ta edhe Shkëlzeni, u vranë shtatë militarë dhe një oficer serb.
Më 20 maj, kur artileria serbe, me qindra ushtarë të rregullt dhe me forca paramilitare të specializuara e mercenare, hasin në rezistencë të ashpër të trimave të Morinës. Atë ditë, beteja zgjati mbi 15 orë. Aty ranë rreth 1000 granata e raketa, pa llogaritur fishekë kalibrash të ndryshëm. Me gjithë këtë armatim, armiku nuk arriti t’i thyejë trimat e Morinës. Përkundrazi, u thye me turp.
Në shenjë hakmarrjeje armiku hyri në Brovinë, Molliq e Botushë. Në vijim të përpjekjeve të forcave pushtuese serbe për të marrë Morinën si pikë strategjike të zonës kufiare, Morina rrethohet nga traupa të shumtë të armikut. Fshati u granatua nga Pllaniku, Babajt e Bokës, Radoniqi e nga Çabrati. Njësiti i Morinës përdor taktikën “Vietnam”, duke përdorur të gjitha armët që kishte në dispozicion: topi 75 mm, mortajë 60 mm e 8,2 – grykë zjarri, mitralez 12,7 etj. Në këtë betejë forcat serbe pësojnë humbje, duke pësuar shumë ushtarë të vrarë e të plagosur, katër tanke të shkatërruara, 6 të bllokuara.etj.
Më 13 qershor 1998, u zhvillua një përleshje e ashpër ndërmjet pjesëtarëve të UÇK-së dhe trupave serbe diversante të cilat në mënyrë tinëzare kishin depërtuar në Morinën e Poshtme. Afër shkollës fillore të fshatit, pas një lufte të ashpër bien dëshmorë: Muhamet Ukshini dhe Shkëlzen Syla, duke u përjetësuar në altarin e lirisë, ndërsa plagosen Gazmend Elezaj dhe Abaz Meta. Shkëlzeni goditet nga një predhë snajperi. Aty ishte edhe i vëllai, Hasani, pastaj, Shkëmbim Elezaj, dhe Ymer Bytyçi nga Nishori i Therandës.
Shkëlzenin e tërhoqën bashkëluftëtarët nga vendi i rënies dhe atë ditë e varrosen në vendlindje.
Më 28 gusht 1999, me nderime ushtarake u bë rivarrimi i dëshmorëve të Morinës në Varrezat e dëshmorëve të Gjakovës: Muhamet, Arben dhe Blerim Ukshini, Shkëlzen Syla, Sylejman Avdyli, Nezir Elezaj, Ahmet Pulatani dhe Fisnik Salihu.
Shkëlzenit dhe dëshmorëve të tjerë të fshatit Morinë, në këtë fshat është ngritur lapidari për ta.
Familja e tij ka marrë Mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme, Kuvendi Komunal i Gjakovës dhe Shoqatat e dala nga lufta. (Z. Gj.)

Kontrolloni gjithashtu

Bahri Ferat Kuçi (20.4.1971 - 11.3.1999)

Bahri Ferat Kuçi (05.04.1971 – 11.3.1999)

Dëshmori Bahri Kuçi u lind më 5 prill 1971, në fshatin Lugmir (ish-Dolak) të komunës …