BQK

BQK: Disa banka kanë ulur tarifat, qytetarët kanë më shumë mundësi zgjedhjeje

Bankat komerciale në Kosovë kanë nisur të aplikojnë ndryshime në çmimoret e tyre, duke ulur tarifat për një sërë shërbimesh financiare që përdoren nga qytetarët dhe bizneset. Këto zhvillime po konsiderohen si një sinjal pozitiv për rritjen e konkurrencës në tregun financiar dhe për lehtësimin e kostove për konsumatorët.

Ndër institucionet financiare që kanë publikuar çmimore të reja janë ProCredit Bank, TEB Bank dhe NLB Bank, të cilat kanë reflektuar ndryshime në tarifat e llogarive bankare, pagesave, kartelave dhe shërbimeve të tjera financiare.

Në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka sqaruar se tarifat bankare përcaktohen nga vetë bankat komerciale, ndërsa roli i saj mbetet mbikëqyrja e praktikave të tregut, transparencës dhe mënyrës së shpalosjes së tarifave ndaj klientëve.

BQK ka theksuar se në Kosovë zbatohen parimet e tregut të lirë dhe se zhvillimet e fundit nuk paraqesin një trend të përgjithshëm të rritjes së tarifave bankare.

“Pra, nuk kemi fenomen të quajtur të rritjes së tarifave, por raste individuale dhe në konkurrencë, krahas rasteve të uljes së tarifave, e disa prej bankave nuk i kanë ndryshuar ose vetëm i kanë përshtatur”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Sipas institucionit mbikëqyrës, qytetarët tashmë kanë më shumë alternativa për zgjedhjen e shërbimeve financiare, jo vetëm përmes bankave, por edhe përmes institucioneve financiare jobankare dhe ofruesve të pagesave elektronike.

BQK ka bërë të ditur se ka ndërmarrë një sërë iniciativash për rritjen e konkurrencës në sektorin financiar, lehtësimin e qasjes në Llogarinë e Pagesës me Shërbime Bazike dhe përmirësimin e transparencës përmes krahasimit më të lehtë të produkteve dhe tarifave bankare.

Një nga mekanizmat e rinj në këtë drejtim është Platforma për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare, e cila u mundëson qytetarëve të krahasojnë ofertat e institucioneve financiare dhe të marrin vendime më të informuara për nevojat e tyre.

Po ashtu, BQK ka njoftuar se është në fazën përfundimtare të miratimit të një kornize të re rregullative, e cila synon avancimin e standardeve të transparencës në njoftimin, publikimin dhe shpalosjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve financiare.

Zhvillimet e fundit në sektorin bankar po shihen si tregues i një tregu gjithnjë e më konkurrues, ku fokusi po zhvendoset drejt ofrimit të shërbimeve më të përballueshme, më transparente dhe më të përshtatura me nevojat e qytetarëve dhe bizneseve.

Kontrolloni gjithashtu

Në Stuttgart do të promovohet krijimtaria e Prof. Ahmet Qeriqit në kuadër të Ditës së Çlirimit të Kosovës

Në kuadër të 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës, në Stuttgart të Gjermanisë …