Armend Tafil Kukleci (1.10.1975 - 14.6.1998)

Armend Tafil Kukleci (1.10.1975 – 14.6.1998)

Armend Kukleci u lind më 1 tetor të vitit 1975 në Pejë. Rrjedh nga një familje me tradita atdhetare nga Isniqi i Deçanit, e cila brez pas brezi ishte e rreshtuar në luftë kundër pushtuesve të ndryshëm, me theks të veçantë kundër pushtuesve serbomalazezë. Babai i tij, Tafili, ishte djali i motrës së udhëheqësit e atdhetarit të njohur të këtyre anëve, Demë Ali Pozharit, prandaj si e tillë, familja e Armendit ishte në shënjestër të përhershme të regjimit titist. Edhe axhallarët e tij, Ramizi, Dervishi e Selimi ishin të përndjekur politikë, si nipa të Demë Ali Pozharit, prej nga edhe ishin frymëzuar për të qenë gjithherë besnikë të interesave kombëtare.
Prindërit, Tafil e Hatmane Kukleci kishin katër fëmijë, tre djem e një vajzë: Armendin, Arbëreshën, Asdrenin dhe Artin, të cilët i edukuan në frymë të shëndoshë kombëtare.
Armendi shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Pejë, ndërsa studimet e larta deri në vitin e dytë i vazhdoi në Degën Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Prishtinës. Gjatë studimeve merrej edhe me aktivitete, organizime e me shkrime letrare. Ishte njëri ndër aktivistët e palodhshëm të lëvizjes studentore, duke marrë pjesë aktive në demonstratat dhe protestat e organizuara nga organizata e studentëve. Gjatë kohës së studimeve, Armendi ishte edhe redaktor i revistës mujore studentore “Boom”, përmes së cilës viheshin në lëvizje mendjet përparimtare studentore.
Armendi qysh herët kishte dëgjuar për barbaritë e soldateskës serbomalazeze, ngase rridhte nga një familje e arsimuar dhe e përndjekur politikisht për vite me radhë, e cila kishte përjetuar mbi kurriz shtypjen dhe persekutimin serb. Barrën e rëndë të kohës e kishte ndier edhe vetë si i ri. I lindur, i rritur dhe i edukuar në frymë të shëndoshë kombëtare, duke përjetuar edhe vetë shtypjen dhe terrorin serb që po i bëhej brezit të tij, Armendi ishte ndër të parët djem nga qyteti i Pejës, që u radhit në radhët e UÇK-së. Kur në Kosovë vinte era gjak e barot, e pa se vazhdimi i studimeve më s’kishte kuptim. Në vend të librave përqafoi armët e lirisë.
Armendin nuk mundën ta ndalin dot në prapavijë të luftës, sepse ishte i vendosur se do të shkojë aty ku është më së vështiri, do të jetë aty ku lufta është më e rreptë. Më 25 prill 1998 u gjend në Gllogjan, ku ishte i vendosur Shtabi Operativ i Rrafshit të Dukagjinit, ku i kreu edhe stërvitjet ushtarake.
Meqenëse kishte ardhur nga qyteti i Pejës, shokët e bashkëluftëtarët e thërrisnin me emrin përkëdhelës “Pejani”. Që në fillim u dallua si luftëtar trim e me një edukatë brilante, nuk fliste shumë por ishte i angazhuar kudo. E donin dhe e çmonin të gjithë. Ishte i përgaditur fizikisht e psiqikisht për të luftuar deri në fund. Ishte i bindur plotësisht se Ushtria Çlirimtare e Kosovës do ta fitonte luftën me çdo kusht. Bashkëluftëtarët e tij kujtojnë fjalët e Armendit kur u thoshte me bindje të plotë: “Ne do ta fitojmë luftën, luftën e kemi të fituar qysh tani”.
Pas formimit të Njësisë Speciale për Intervenime të Shpejta “Shqiponjat e Zeza”, Armendi, meqenëse ishte dalluar në ushtrime angazhime, vullnetarisht kërkon që të sistemohet në këtë njësit, duke u bërë shumë shpejt njëri prej eprorëve dhe luftëtarëve më të spikatur të tij.
Njësiti Special për Intervenime të Shpejta “Shqiponjat e Zeza” të Zonës Operative të Dukagjinit, që nga themelimi i saj, më 14 maj 1998, nën drejtimin e komandantit dhe luftëtarit të shquar të UÇK-së, Idriz Balaj, ishte njëri ndër njësitet intervenuese më të përgaditura për luftë, e shquar për stërvitjet ushtarake e përgaditjet fizike, gjë që e tregoi me luftën heroike e të suksesshme në frontet më të rrezikshme të luftës. Luftëtarët e këtij njësiti, pa përjashtim, ishin gjithmonë aty ku e kërkonte nevoja, aty ku vijat e frontit ishin më të rrezikshmet dhe ku betejat ishin më të rreptat. Në kuadër të tij, Armendi mori pjesë në vijat e para të frontit, aty ku zhvilloheshin luftimet më të rrepta, si në Prejlep, Carrabreg, Lloçan, Junik, Voksh, Sllup, Pobergjë, Drenoc, Gramaçel, Baballoç etj., duke i dalur në ndihmë me tërë forcën edhe popullatës civile.
Me kalimin e kohës në këtë njësit Armendi krijoi përvojë andaj edhe kishte kryer me sukses një varg aksionesh në prapavijë të armikut. Në qershor të vitit 1998, pas sulmit të organizuar të forcave ushtarako-policore serbe në regjionin e Vokshit, ku ishin përqendruar forca të shumta serbe, përfshirë edhe njësitë paraushtarake të Arkanit, “Shqiponjat e Zeza” caktohen për të vepruar në atë rajon, ku në vazhdimësi zhvillohen luftime të përgjakshme.
Armendi ishte i përgaditur fizikisht e psiqikisht për t’u bërë ballë pushtuesve serbë. Shquhej për virtytet më të larta njerëzore, krenarinë, moralin dhe ndërgjegjen kombëtare. Ishte mjaft komunikues me të gjitha gjeneratat. Sa ishte i urtë e i sjellshëm me shokët e bashkëluftëtarët aq ishte i rreptë ndaj armikut. Optimizmi i tij i madh për fitoren e luftës nuk e tradhtoi për asnjë moment. Ishte i bindur se ta duash Kosovën, ta duash lirinë e atdheut, duhet ta ujitësh me gjak, që ajo përsëri të lulëzojë.
Ditën e 14 qershorit 1998, Armendi me një njësit “Shqiponjat e Zeza” ishte i përqendruar në pikën e parë të frontit në Drenoc, në pjesën e sipërme të lagjes Alaj. Aty lufton heroikisht për orë të tëra. Më pas zhvendoset pak më poshtë në pozicionin tjetër afër xhamisë së fshatit, ku Armendi me shokë bën një qëndresë të pathyeshme, pa u tërhequr për asnjë çast nga vija e parë e frontit, ndonëse forcat serbe ishin të shumta në numër dhe kishin vënë në përdorimin artilerinë e rëndë e helikopterët dhe forca të shumta këmbësorie të njësive speciale. Deri në mesditë luftimet ishin tejet të rrepta. Aty arrijnë që të shpartallojnë tërësisht një njësit të paraushtarakëve të Arkanit. Dikur forcat serbe e diktojnë dhe qëllojnë në pozicionin e luftëtarëve të lirisë. Një predhë tanku godet istikamin. Armendi bie heroikisht, ndërkaq plagosen bashkëluftëtarët e tij, Valmir Ukaj nga Lumbardhi dhe Musë Maloku nga Dubrava.
Atëherë kur shokët e tjerë të njësitit po i vinin në ndihmë, dhe gjithsesi kur po afroheshin për të tërhequr Armendin e vrarë dhe për t’u dhënë ndihmën bashkëluftëtarëve të tjerë të plagosur, në përleshje të rreptë e të pabarabartë me forcat serbe, bie në fushën e nderit edhe eprori tjetër i Njësitit “Shqiponjat e Zeza”, Blerim Lokaj (1975), nga Prejlepi i Deçanit.
Megjithatë, katërmbëdhjetë qershori, nuk është ditërënia e eprorëve të Njësisë Speciale “Shqiponjat e Zeza”, 22-vjeçarëve Armend Kukleci e Blerim Lokaj, por dita e fillimit të përjetësisë së tyre. Trupin e Armendit shokët nuk mundën ta tërhiqnin nga vendbeteja. Trupi i tij u gjet në varrezat e qytetit të Pejës, pas mbarimit të luftës, në shtator të vitit 1999, kur u rivarros me nderime të larta ushtarake e gjithëpopullore bashkë me shokë të tjerë dëshmorë, në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan. Emri i tij është i shënuar me shkronja të arta në pllakën përkujtimore të dëshmorëve të komunës së Pejës, në Sheshin “Shkëlzen Haradinaj” në Pejë. Emrin e tij e mbajnë rrugët e qytetit të Pejës. Për të këndohen këngë e janë thurur poezi.
Me shkrime përkujtimore kujtimin për jetën dhe veprën e dëshmorit Armend Kukleci e kanë lartësuar Faton Mehmetaj, Hasan Hasani, Fitim Kuklecaj, Fetnete Ramosaj etj.
Dëshmori i kombit Armend Kukleci, pas rënies, është nderuar me mirënjohje të shumta si nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, Shoqata e Veteranëve të Luftës, Njësia Speciale “Shqiponjat e Zeza” etj. Kujtimi për të do të jetë i pavdekshëm. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Një plejadë djelmoshash të zgjedhur mal e vërri, që patën braktisur Kosovën si të ndjekur, …