Agim Hasip Zenuni (1.6.1969 - 8.6.2001)

Agim Hasip Zenuni (1.6.1969 – 8.6.2001)

Agim Zenuni, lindi më 1 qershor të vitit 1969, në Kumanovë, në një familje të varfër ekonomikisht. Familja e tij kishte prejardhjen nga fshati Shurdhan i Karadakut të Gjilanit, ku të parët e Agimit ishin të njohur si njerëz fisnikë e bujarë, që ishin treguar trima e sypatrembur në vargun e aksioneve të rezistencës së populli shqiptar, kundër shtypjes së egër të falangës serbe. Më i dalluari ndër ta ishte, pa dyshim Xheladini–Xhelë Guri, që ishte dhe krahu i djathtë i Idriz Seferit. Në atë kohë të njohur ishin dhe Idrizi, Shefkiu, Zeka i Parë, Zenuni, Rrahmani, Sahiti, e të tjerë, ku dekada me radhë ishin shquar për trimërinë e tyre, në lëvizjen kaçake të popullatës së kësaj ane. Politika antishqiptare dhe dhuna, diskriminimi e terrori ishin veprime të përhershme e politikës serbomadhe të të gjitha regjimeve, e cila synonte të bënte shpërbërjen, shpërnguljen dhe eliminimin fizik të shqiptarëve. Për këtë qëllim, qeveritë serbe, disa herë arritën edhe marrëveshje me qeverinë e Turqisë, për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre për në Turqi, si pasojë e të cilave marrëveshje mijëra familje shqiptare u detyruan të shkojnë në shkretëtirat e Anadollit. Një fat të tillë e përjetuan edhe banorët e fshatit Shurdhan e të fshatrave të tjera rreth tij, si Stançiqi, Çeliku, Pëdiqi, Godeni etj., në vitet ’50-të të shekullit 20, kur nga 334 familje të kësaj treve, 157 prej tyre u detyruan t’i braktisin vatrat e tyre, e të shkojnë për në Turqi. Nga fshati Shurdhan u shpërngulën 15 familje. Rrugën e shpërnguljes për në Turqi ishte detyruar ta marrë edhe familja e Agimit, por në pamundësi për t’i nxjerrë dokumentet e nevojshme të udhëtimit, mbetet në qytetin e Kumanovës, ku u ballafaqua me skamje e vështirësi. Nga i ati dhe xhaxhallarët, Agimi dëgjonte për trimëritë, fisnikërinë, dhe rezistencën e popullit shqiptar. Posa kreu shërbimin ushtarak në regjimin titist, si mijëra të rinj shqiptarë, edhe ai detyrohet të shkojë në mërgim për të siguruar kafshatën e bukës për familjen e tij, por asnjëherë nuk i ndërpreu lidhjet me familjen. Lidhje të vazhdueshme mbante me Enver Zenunin, djalin e xhaxhait të tij.

Agimi kishte dy vëllezër e tri motra dhe ishte i martuar me Luljetën, me të cilën pati bijën, Antigonën.

Temperamenti patriotik i Agimit vlonte dhe nuk mund ta linte të qetë gjatë kohës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku merrnin pjesë edhe anëtarët e familjes së tij, si Shkodrane Zenuni e cila edhe pse fare e re, tregoi trimëri të rrallë në vijën e frontit të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, në Kosharen legjendare. Mirëpo, plagët e atdheut kullonin gjak kudo dhe së shpejti do të hapeshin fronte të reja çlirimtare, kur Agim Zenuni do të jepte kontributin e tij për lirinë e kombit. Maqedonia i formuar si një shtet artificial, në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit 20, po vazhdonte avazin e vjetër të regjimit titist, duke shtypur në vazhdimësi shqiptarët dhe suprimuar të drejtat e tyre në çdo segment të jetës: politike, shoqërore, ekonomike e kulturore. Kjo situatë impononte rezistencën e popullit shqiptar në trojet e veta në Iliridë. Prandaj, në fillim të vitit 2001 formohet Brigada 113 “Ismet Jashari – Kumanova” e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, me luftëtarët trima nga të gjitha viset shqiptare. Agim Zenuni ishte ndër ushtarët e parë që u radhit në radhët e kësaj brigade. Në fillim të muajit mars të vitit 2001, ai ngjitet në fshatin Sllupçan dhe sistemohet në njësitin diversant të komandantit Jetullah Çarri-Komandant Guri, kur po bëheshin përgatitjet për hapjen e vijës së frontit në tërë rajonin e Kumanovës.

Në fytyrën e Agimit vërehej urrejtja e jashtëzakonshme ndaj barbarisë maqedonesllavo-çetnike. Vrasjet, torturat, shpërnguljet dhe diskriminimi ekstrem që ishte bërë ndaj popullit shqiptar, kudo në kohë dhe hapësirë, ishin bërë vrer në gjoksin dhe shpirtin e tij prej atdhetari. Pezmi i tij ishte i papërmbajtshëm dhe sikur dëshironte të shpaguhej e të nxirrte hakun për Adem Jasharin, Agim Ramdanin, Ismet Jasharin, Salih Çekajn, Luan Haradinajn dhe për të gjithë dëshmorët e kombit, që kishin derdhur gjakun e tyre ndër shekuj për atdhe. Çasti i përballjes me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare të armikut shekullor sllav, po afrohej dhe Agim Zenuni ishte i gatshëm për këtë ditë si kurrë më parë. Fillimi i majit të vitit 2001 shënon fillimin e luftimeve të luftëtarëve të Brigadës 113 “Ismet Jashari – Kumanova” kundër forcave pushtuese maqedonase. Luftimet zhvilloheshin kudo në trevën e Kumanovës. Forcat e armikut sulmonin pa mëshirë fshatrat shqiptare dhe pozicionet e luftëtarëve çlirimtarë, me të gjitha llojet e armëve. Luftëtarët e lirisë qëndronin të pamposhtur në pozicionet e tyre. Në mbështetje të tyre ishte edhe popullata shqiptare: pleq, gra e fëmijë. Qëndresa shqiptare ishte heroike. Agim Zenuni ishte në pozicionet e luftës, në mesin e bashkëluftëtarëve.

Më 8 qershor të vitit 2001, armikun maqedonas angazhoi përforcime të mëdha, si në potencial njerëzor ashtu edhe në armatim dhe ndërmori sulme të ashpra me tanksa e topa në drejtim të kodrës së quajtur Hisar. Agimi me shokët e istikamit, edhe pse i lodhur nga luftimet e pareshtura, reziston deri në çastet e fundit të jetës kundër ushtrisë barbare të maqedonëve sllavë. Luftimet zgjatën tërë ditën, deri në orët e vona të natës, gjatë të cilave trupi i Agim Zenunit u përshkua nga plumbat e armikut. (N. B.)

 

Kontrolloni gjithashtu

Bahri Ferat Kuçi (20.4.1971 - 11.3.1999)

Bahri Ferat Kuçi (05.04.1971 – 11.3.1999)

Dëshmori Bahri Kuçi u lind më 5 prill 1971, në fshatin Lugmir (ish-Dolak) të komunës …