Edhe pse përfundimi i gjykimit pritej të sillte një epilog brenda pak muajsh. Gjykata speciale në Hagë kanë vendosur të shtyjnë edhe për të paktën 60 ditë shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thelluar pasiguritë dhe pakënaqësitë rreth këtij procesi. Zëdhënësja e Gjykatës, Angela Griep, ka arsyetuar vendimin me kompleksitetin e rastit, duke bërë të ditur se afati i ri shkon deri më 20 korrik, por pa garantuar se kjo do të jetë data përfundimtare e shpalljes së vendimit. Madje, nuk përjashtohet as një shtyrje tjetër, nëse konsiderohet e nevojshme nga trupi gjykues. Kjo qasje ka nxitur reagime të shumta, pasi procesi tashmë është shoqëruar me vonesa të gjata dhe me paraburgim të zgjatur për të akuzuarit. Avokati Florin Vërtopi thekson se, megjithëse ekziston mundësia që vendimi të shpallet më herët, zgjatja e afateve mbetet problematike dhe potencialisht në kundërshtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Çdo rihapje e procedurës së provave duhet të garantojë të drejtën e mbrojtjes për kundërshtim, në mënyrë që të respektohet parimi i barazisë së armëve – një nga shtyllat themelore të një gjykimi të drejtë. Në të njëjtën linjë kritike janë rreshtuar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe PDK. Veteranët e cilësojnë vendimin si politik dhe të padrejtë, ndërsa PDK paralajmëron se zvarritja po e dëmton seriozisht besimin publik në drejtësi dhe po rëndon më tej pozitën e të akuzuarve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
