Në gjykatën speciale në Hagë ka vazhduar dëshmia e drejtoreshës së Fonetikës Ligjore në Australi dhe profesoreshës së Asociuar në Universitetin e Anglisë së Re, Helen Fraser, në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçi dhe të tjerëve, lidhur me akuzat për vepra kundër administrimit të drejtësisë. Gjatë përgjigjeve ndaj ekipit mbrojtës të Thaçit, Fraser foli për përvojën e saj profesionale dhe angazhimin në raste të ndryshme gjyqësore ku janë analizuar prova audio dhe transkriptime. “Kam qenë e përfshirë në shumë raste ku kam pasur shqetësime se provat mund të jenë interpretuar gabimisht”, deklaroi ajo para trupit gjykues. Fraser theksoi se fokusi i saj kryesor mbetet kërkimi shkencor dhe analiza profesionale e materialeve audio, duke shtuar se është “shumë kërkuese” në punën që bën. Sipas raportimeve nga Benchtv, një pjesë e rëndësishme e punës kërkimore të Fraser gjatë dy dekadave të fundit është përqendruar në identifikimin e problemeve dhe gjetjen e zgjidhjeve lidhur me transkriptimin e regjistrimeve të fshehta dhe jo të qarta që përdoren si prova në proceset penale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
