Anëtari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani, ka ngritur shqetësime për gjendjen aktuale në kompleksin minerar të Trepça, duke thënë se punëtorët përballen me kushte të rënda dhe të rrezikshme pune. Sipas tij, minatorët punojnë në temperatura të larta, me lagështi të madhe, pluhur dhe gazra të dëmshëm, si dhe janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të vazhdueshme që lidhen me natyrën e punës në minierë. Osmani theksoi se, pavarësisht përmirësimeve në prodhim gjatë viteve të fundit, paga e minatorëve mbetet e ulët dhe nuk përputhet me rrezikun dhe intensitetin e punës së tyre. “Paga e minatorit është shumë e ulët dhe jo reale për punën që bëjnë çdo ditë”, është shprehur ai. Ai shtoi se kërkesat për rritje pagash janë të vazhdueshme, duke theksuar se punëtorët po japin maksimumin në kushte të vështira pune. Sipas Osmanit, teknologjia e përdorur në Trepçë është mbi 50-vjeçare, ndërsa struktura e punëtorëve është kryesisht e moshuar, me disa punëtorë që vazhdojnë të punojnë deri në moshën 65 vjeç. Ai paralajmëroi gjithashtu për probleme teknike dhe ekonomike në ndërmarrje, duke përfshirë defekte të shpeshta në makineri dhe borxhe ndaj partnerëve dhe institucioneve financiare. Miniera e Trepçës, sipas tij, funksionon me katër ndërrime dhe ka 11 horizonte pune, ndërsa një pjesë e pajisjeve ngarkuese datojnë që nga vitet ’80.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
