Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga qytetarët e Pejës që në zgjedhjet e ardhshme të mbështesin kandidatin për kryeministër nga Aleanca, Ardian Gjinin, duke e cilësuar atë si njeriun e duhur për sfidat me të cilat përballet Kosova. Në tubimin elektoral të mbajtur në Pejë, Haradinaj tha se ky qytet zë një vend të veçantë në jetën e tij politike dhe personale, duke kujtuar se vizitën e parë pas kthimit nga Haga e kishte bërë pikërisht në Pejë. “Borxh i kemi pas kësaj toke, shyqyr e kemi çliru dhe jemi të gëzuar që Peja është kështu si është. Kur jam kthyer prej Hagës, vizitën e parë e kam bërë në Pejë. Nëpër ballkone, në rrugë e në shesh kishte njerëz. Ky qytet është me vlera të mëdha dhe me trashëgimi të hershme”, tha Haradinaj. Ai theksoi se e do Pejën dhe Kosovën sepse janë vlera të pazëvendësueshme, ndërsa shprehu bindjen se vendi ka nevojë për një udhëheqje të përgjegjshme dhe me përvojë. Duke folur për Ardian Gjinin, Haradinaj tha se ai është formuar në periudha të vështira të historisë së Kosovës dhe ka dëshmuar aftësi në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar. “Është krijuar në zjarrin e luftës dhe në sfidat që ka kaluar Gjakova. Ka dije, përvojë dhe vizion. Nuk është njeri i propagandës dhe i zhurmës, por i punës dhe rezultateve. Kosova ka nevojë për një njeri të tillë”, deklaroi Haradinaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
