Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve të Mitrovicës dhe mbarë Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar se vendi ka nevojë për ndryshim dhe një drejtim të ri zhvillimi. Në një tubim elektoral të mbajtur në Mitrovicë, Hamza tha se besimi që ka marrë ndër vite nga qytetarët e këtij qyteti e obligon të punojë për një Kosovë më të zhvilluar dhe më të qëndrueshme. “Jemi në Mitrovicën time. Qytetarët e Mitrovicës më kanë besuar gjithmonë. Dhe më besojnë edhe tani për Kosovën. Më 7 qershor, Mitrovica duhet ta japë kontributin e saj. Më 7 qershor, Kosova duhet të ndryshojë”, deklaroi ai. Hamza vlerësoi se zgjedhjet e ardhshme paraqesin një mundësi për t’i dhënë fund krizave me të cilat po përballen qytetarët dhe për të nisur një fazë të re të zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit institucional. Ai rikujtoi pikat kryesore të programit të PDK-së, duke përmendur uljen e çmimeve dhe tatimeve, rritjen e pagave dhe pensioneve, mbështetjen për bizneset vendore, si dhe investimet në energji, infrastrukturë dhe teknologji. “Mitrovica dhe e gjithë Kosova meritojnë më shumë. Meritojnë zhvillim, dinjitet dhe një të ardhme më të mirë për secilin qytetar. Më 7 qershor, bashkë do t’i themi STOP krizës dhe do ta ndryshojmë Kosovën”, ka deklaruar Hamza.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
