Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka paralajmëruar se Kosova rrezikon të humbasë një pjesë të mbështetjes dhe vëmendjes së administratës së presidentit Donald Trump nëse nuk i përgjigjet pozitivisht ofertës amerikane për partneritet energjetik në fushën e gazit të lëngshëm natyror. Hovenier tha se administrata e Trumpit ka dëshmuar një qasje transaksionale në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke favorizuar partnerët që tregojnë gatishmëri për bashkëpunim dhe marrëveshje konkrete. “Administrata e Trumpit është dëshmuar si transaksionale. Nëse jeni të gatshëm të bëni marrëveshje, bëni; nëse jo, nuk jeni të interesuar”, deklaroi ai. Sipas Hovenierit, pranimi i iniciativave amerikane në sektorin energjetik do ta forconte pozitën e Kosovës si partnere strategjike e Shteteve të Bashkuara, ndërsa mungesa e interesimit mund të çojë në zhvendosjen e prioriteteve amerikane drejt vendeve të tjera të rajonit. Ai theksoi se çdo hap që afron Kosovën me projektet energjetike dhe ekonomike të SHBA-së e konsolidon partneritetin dypalësh, ndërsa veprimet në drejtim të kundërt mund të ndikojnë negativisht në nivelin e angazhimit amerikan ndaj Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
