Zyrtari amerikan: Siguria energjetike është siguri kombëtare, Kosova duhet të përgatitet për LNG-në

Zëvendësndihmëssekretari i Departamentit amerikan të Energjisë për Evropën, Euroazinë, Afrikën dhe Lindjen e Mesme, Dan Byers, ka riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e Kosovës në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe forcimin e sigurisë energjetike. Gjatë një diskutimi të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) me temën “Shfrytëzimi i LNG-së Amerikane për Sigurinë Energjetike dhe Përafrimin Strategjik të Kosovës”, Byers theksoi se siguria energjetike duhet të trajtohet si një çështje e sigurisë kombëtare. Ai vlerësoi rolin që thëngjilli vazhdon ta ketë në sistemin energjetik të Kosovës, por nënvizoi se gazi i lëngshëm natyror (LNG) mund të bëhet një pjesë e rëndësishme e miksit energjetik në të ardhmen, veçanërisht përballë rritjes së kërkesës për energji. Duke iu referuar rekomandimeve të Odës Amerikane, Byers theksoi rëndësinë e planifikimit afatgjatë, realizimit të studimeve të fizibilitetit, investimeve strategjike dhe diplomacisë energjetike, në mënyrë që Kosova të jetë e gatshme të përfitojë nga mundësitë që ofron tregu i gazit të lëngshëm natyror. Ai riafirmoi gatishmërinë e Departamentit të Energjisë së SHBA-së për të mbështetur Kosovën përmes ekspertizës teknike, ngritjes së kapaciteteve dhe bashkëpunimit strategjik, duke theksuar se forcimi i sigurisë energjetike të aleatëve dhe partnerëve mbetet një ndër prioritetet kryesore të politikës amerikane.

Kontrolloni gjithashtu

Ngritet aktakuzë ndaj gjashtë serbëve për barrikadat në veri

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të cilët dyshohen …