Supremja vulos gjobën ndaj LV-së: Pjesëmarrja e 10-vjeçares në tubim zgjedhor u cilësua shkelje ligjore

Gjykata Supreme e Kosovës ka konfirmuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke lënë në fuqi gjobën prej 5.100 eurosh të shqiptuar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për përfshirjen e një të miture në një aktivitet të fushatës zgjedhore. Vendimi lidhet me një tubim të mbajtur më 31 maj 2026 në Vushtrri, ku një vajzë 10-vjeçare doli në skenë dhe recitoi para pjesëmarrësve, e veshur me elemente që përmbanin logon e subjektit politik. Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme theksoi se përgjegjësia për zhvillimin dhe menaxhimin e aktivitetit zgjedhor bie mbi organizatorin, pavarësisht nëse iniciativa për paraqitjen e të miturës ka ardhur nga vetë ajo apo ka qenë e planifikuar nga organizatorët. Sipas gjykatës, rregullorja zgjedhore ndalon qartë angazhimin e personave nën moshën 15-vjeçare në fushata zgjedhore. Për këtë arsye, lejimi i pjesëmarrjes aktive të fëmijës në tubim përbën shkelje të dispozitave në fuqi. Lëvizja Vetëvendosje kishte kundërshtuar vendimin e PZAP-së, duke argumentuar se e mitura nuk ishte pjesë e programit zyrtar të tubimit dhe se paraqitja e saj kishte ndodhur me iniciativën personale dhe në praninë e prindit. Megjithatë, Supremja vlerësoi se këto pretendime nuk e ndryshojnë përgjegjësinë e organizatorit për respektimin e rregullave zgjedhore. Duke u mbështetur në qëllimin e dispozitave që mbrojnë interesin më të mirë të fëmijëve dhe parandalojnë përfshirjen e tyre në aktivitete politike zgjedhore, Gjykata Supreme e cilësoi të ligjshëm dhe të bazuar vendimin e PZAP-së, duke e refuzuar ankesën e LV-së si të pabazuar.

Kontrolloni gjithashtu

Ngritet aktakuzë ndaj gjashtë serbëve për barrikadat në veri

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të cilët dyshohen …