Artan Behrami: Gjermania sakrifikoi projektin miliardësh për ShBA-në, Kurti po refuzon gazin amerikan

Kandidati i PDK-së për deputet, Artan Behrami, ka vazhduar kritikat ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar atë për refuzim të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në projektin për gazin amerikan. Përmes një reagimi publik, Behrami ka krahasuar qasjen e Kosovës me atë të Gjermanisë, duke theksuar se Berlini hoqi dorë nga një projekt energjetik rus me vlerë prej 11 miliardë eurosh për t’u përshtatur me interesat strategjike të Uashingtonit. Sipas tij, Kosova po vepron në drejtim të kundërt, duke mos iu përgjigjur pozitivisht kërkesave të aleatit kryesor strategjik. “Gjermania hoqi dorë nga një projekt rus prej 11 miliardë eurosh dhe ndryshoi krejtësisht strategjinë e saj energjetike për t’iu përshtatur kërkesave dhe interesave strategjike të ShBA-së. Ndërkohë, në Kosovë, Albin Kurti refuzon vazhdimisht kërkesat e Amerikës për të kufizuar ndikimin rus/serb në Ballkan dhe për të koordinuar veprimet me partnerët tanë strategjikë“, ka shkruar Behrami. Ai ka paralajmëruar se një qasje e tillë mund të ketë pasoja për vendin në raport me aleatët ndërkombëtarë. “Kostoja për Kosovën mund të jetë izolimi politik dhe dëmtimi i aleancës sonë më të rëndësishme, ShBA-së, e cila edhe sot ruan integritetin dhe sovranitetin e Kosovës“, ka deklaruar Behrami.

Kontrolloni gjithashtu

Ngritet aktakuzë ndaj gjashtë serbëve për barrikadat në veri

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të cilët dyshohen …