Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën, ka vlerësuar se rezultati i zgjedhjeve të fundit në Kosovë ka ndryshuar ndjeshëm peizazhin politik, duke rikthyer nevojën për ndërtimin e koalicioneve qeverisëse. Në reagimin e saj, ALDE ka kujtuar se Kosova zhvilloi zgjedhjet e treta brenda një periudhe prej 16 muajsh, pas dështimit të forcave politike për zgjedhjen e presidentit të vendit. Sipas kësaj aleance evropiane, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila është anëtare e ALDE-së, ka arritur të sigurojë 21.74 për qind të votave, duke dëshmuar se ka ruajtur një mbështetje të qëndrueshme elektorale. ALDE vlerëson se fakti që Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të sigurojë shumicën absolute e ka vendosur PDK-në në një rol vendimtar në procesin e negociatave për formimin e institucioneve të reja. “Kjo krijon mundësi që liberalët të ndihmojnë në formësimin e qeverisë së ardhshme dhe të vazhdojnë të mbështesin një të ardhme demokratike dhe evropiane për Kosovën“, thuhet në deklaratën e ALDE-së. Në reagim është përfshirë edhe një deklaratë e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, i cili ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare në procesin demokratik. “Qytetarët e Kosovës dëshmuan besim në fuqinë e votës dhe në të drejtën për të vendosur për të ardhmen e vendit“, citohet të ketë thënë Hamza. Sipas ALDE-së, zhvillimet paszgjedhore në Kosovë do të jenë vendimtare për orientimin politik të vendit dhe për vazhdimin e agjendës së integrimit evropian.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
