Prishtina shënon 27-vjetorin e çlirimit me homazhe, marsh festiv dhe koncert në zemër të kryeqytetit

Me rastin e 27-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Prishtinës, Kryeqyteti ka përgatitur një program të pasur aktivitetesh për të nderuar dëshmorët dhe për të kremtuar lirinë e qytetit. Manifestimet do të zhvillohen nesër, më 11 qershor 2026, duke bashkuar qytetarë, përfaqësues institucionesh, veteranë të luftës dhe figura të jetës publike. Aktivitetet do të nisin në orën 10:00 me homazhe dhe nderime pranë Varrezave të Dëshmorëve në lagjen Velania, ku do të kujtohet sakrifica e atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit. Në orën 10:30 do të mbahen nderime pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti, në sheshin që mban emrin e tij, si shenjë respekti për veprën dhe kontributin e tij në luftën çlirimtare. Më pas, në orën 11:00, në Sallën e Kuvendit Komunal, do të zhvillohet Seanca Solemne me rastin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës. Një nga momentet më simbolike të ditës pritet të jetë Marshi i UÇK-së, i cili do të nisë në orën 12:00 nga Sheshi “Zahir Pajaziti” drejt Sheshit “Skënderbeu”. Marshi organizohet nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të veshur me uniformat e UÇK-së. Festimet do të vazhdojnë edhe në orët e mbrëmjes. Në orën 18:00, në Stadiumin “Fadil Vokrri”, do të organizohet “Ndeshja e Yjeve – Miqtë e futbollit”, një aktivitet sportiv që synon të sjellë atmosferë festive dhe bashkim qytetar. Nga ora 18:30 deri në 23:00, Sheshi “Skënderbeu” do të shndërrohet në qendër të festës me një koncert festiv, ku do të performojnë Ansambli “Bajram Curri”, Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”, grupet Zwada dhe Blla Blla Blla, si dhe një DJ, duke i dhënë fund në mënyrë madhështore aktiviteteve të kësaj dite të veçantë.

Dita e Çlirimit të Prishtinës mbetet një ndër datat më të rëndësishme në historinë e kryeqytetit, duke kujtuar sakrificën për liri dhe duke përcjellë mesazhin e unitetit dhe mirënjohjes ndër breza.

Kontrolloni gjithashtu

KQZ: 31 maji afati i fundit për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se data 31 maj është afati i fundit për …