Kulla sipas fjalorit të gjuhës shqipe është një shtëpi e lartë prej guri me dy a tri kate. Zakonisht ndërtimi i kullës bëhej në vende të ngritura dhe shërbente si banesë.
Dritaret e vogla dhe frëngjitë shërbenin për vrojtim (shikim) dhe mbrojtje nga sulmet e ndryshme. Kati i dytë përbëhej nga odat (dhomat e miqve). Pra përveç karakterit banues, kulla kishte edhe karakter mbrojtës.
Për kullat janë thurur vargje, këngë, janë shkruar romane, janë bërë filma dhe dokumentarë. Poeti Ali Podrimja thotë:
“E një kullë është ngritur në një mijë vjet,
Mbi një asht, mbi një emër ajo flet,
Për shkak të dashurisë, për shkak të urrejtjes.
Në majë të botës e ka ngritur,
Deri në tokë e kanë rrënuar zotërat.”
Kullat janë pjesë e mureve të atdheut, janë pjesë e jetës së njerëzve, e kujtesës njerëzore. Muret e kullës, oborri, gurët, frëngjitë e sidomos pragu janë të shenjta e të paprekshme. Kush e prek kullën e shqiptarit e zë gjarpri. Gjarpri është rojtari i saj. Gjarpri ka qenë ëngjëll mbrojtës i njeriut, i shtëpisë, i fisit, i krahinës. Me këtë besim kuptimi është gdhendur shumë herë në lahutë, në porta shtëpie, në objekte shtëpie etj. Kur dilte ndonjë gjarpër nga muret e kullës nëna më thoshte: “Mos e prek se është roja e shtëpisë!” E unë unë e lejoja të largohej pa e ngacmuar.
Populli thotë: “Për këtë kullë, për këtë besë! T’u mbushtë kulla më fëmijë! T’u lumnoftë kulla! Të nderoftë kulla! Qofshi të lumtur në kullën tuaj! T’u gëzoftë kulla! Mos t’u rrëzoftë kurrë kulla! Ta kam dhënë shpirtin, djersën e gjakun, oj kullë! Qofsh e papushtueshme si mali!”
Në Kodrën e Demaliajve, rrethuar me gjelbërim nga të gjitha anët ndodhet kulla e Haxhi Mehmetit.
Gjyshi ndërtoi në Kodrën e Demaliajve kullën dykatëshe. Një vend dominues, me fushëpamje të largët, nga e cila shikonte gjithë tokën e tij, edhe fshatrat: Pac, Vlad, Zherkë, Majën e Dhinё, Qafën e Nevadit, Qafën e Luzhës, Majën e Fushave, Lakun e Rrinave, Lugun e Madh. Shtëpia ishte e ndërtuar me gurë, e mbuluar me dërrasa. Kishte vend të veçantë për gatim dhe disa konaqe për bagëtinë: vend të veçantë për delet, (dhitë ishin race dhe i mbanin me delet), për lopët, viçat, qetë, kuajt. Në vjeshtë tek arat bënin torishta lëvizëse dhe i mbanin delet derisa e plehronin gjithë tokën që mbillnin. Ishte edhe kjo një nga arsyet që jepte prodhim të madh. Verës gjyshi rrinte në vërri (tek shtëpia në Kodrën e Demaliajve). Vetëm 1 javë dilte në bjeshkë kur qetheshin delet. Kur ngjitej në Sylbicë Haxhi Mehmeti, ngjiteshin të gjithë kryefamiljarët e Bytyçit. Do të mbahej Kuvendi i Krahinës në Bytyç, tek Guri i Metalisë, ku do të merreshin vendimet në zbatim të Kanunit të Bjeshkës së Sylbicës.
Gjatë kësaj jave burrat do të organizonin lojëra popullore, gara me qitje, ishte një minikampionat. Haxhi Mehmeti shtronte drekë për qethjen e dhenve, ku ishte i ftuar nga një për shtëpi. Gatuhej mish qengji me oriz, mazë e zieme, çorbë, djathë i njomë, qumësht i trashun, kos, mjaltë. Mjalta ngjitej me gazanica për këtë drekë.
Për qethjen e dhenve gjyshi merrte Ram Zenunin nga Zherka, Ukë Bajramin dhe Zog Hazirin nga Paci e të tjerë ndihmës të tyre.
Në këtë kullë lindi dhe vdiq i zoti i saj Haxhi Mehmeti. Lindën djemtë: Hasani, Shabani, Hyseni, Bajrami, Zeqiri, Binaku, Avdyli dhe vajzat Butja e Timja. Në këtë kullë janë bërë dasma, janë kënduar këngë, janë vajtuar me dhimbje të vdekurit. Xhufe Sylja e vajtoi për shtatë javë të zotin e saj, Haxhi Mehmetin kur vdiq në vitin 1937. Ajo ishte e njohur si vajtore në Malësi e në Kosovë. Sa gëzime, hidhërime ka kaluar kjo kullë!… Ka qeshur, ka qarë, është bërë më e fortë, është thinjur. Sa herë kujtoj këtë kullë më bien ndërmend vargjet:
“Vendosa të ndërtoj një kullë,
I dhashë formën e zemrës sime.
Vargje vendosa mbi gur,
Shpirtin vendosa në themel,
Për hekurin vendosa dashuri.”
Kulla e Haxhi Mehmetit është sinonim i qëndresës, i besës, i heroizmit, i fitores, lirisë, i besnikërisë ndaj atdheut. Në odën e burrave, në katin e dytë të saj u pritën e u përcollën miq e të afërm, u morën vendime për fisin dhe Kosovën. Nga këtu u nisën bytyçasit për në Qafën e Prushit e të Ramë Ahmatit dhe i shpartalluan batalionet turke në vitin 1912 nën drejtimin e Bajram Currit. Nga këtu u nisën bytyçasit me në krye Haxhi Mehmetin për në Qafë të Morinës për të mbrojtur tokën shqiptare në vitin 1913 nga pushtuesi serb. U nisën edhe drejt Krumës, në maj të vitit 1924 po nën udhëheqjen e Bajram Currit. Nga kjo kullë u nisën për në internim, në dhjetor të vitit 1939: Hasani, Hyseni, Bajrami, Nëna Havë, Butja për t’u kthyer përsëri pas dy vitesh. Në këtë kullë u ngrit Njësiti Antifashist i Bytyçit. Në këtë kullë luftoi ky njësit kundër forcave të xhandarmërisë në gusht të vitit 1942. Kjo kullë priti e përcolli luftëtarët e lirisë kur shkuan në Aksionin e Shumrisë, më 15 mars 1943. Nga kjo kullë shkoi furnizimi i partizanëve në Dobrej e u shpërndanë nga të katër anët korierët partizanë për të dhënë lajmin e fitores. Kjo kullë priti e përcolli partizanët në Operacionin Pik të 14 shkurtit 1944, priti e përcolli delegatët e Konferencës së Bujanit: Hajdar Dushi, Xhevdet Doda, Qamil Brovina, Rifat Berisha etj. Në këtë kullë lindi dhe u rrit dëshmori i Atdheut Hysen Haxhia, firmëtari i Konferencës së Bujanit dhe komandanti i Brigadës së Shtatë Kosovare me 17 mijë luftëtarë, Shaban Haxhia. Nga kjo kullë e ka origjinën Legjenda e Rockut Shqiptar, Gentjan Demaliaj.
Kjo kullë u dogj tri herë: një herë kur Haxhi Mehmeti në moshë të re mori gjakun e vëllait në sarajet e Gani beg Kryeziut, më 1913 dhe 1915 nga pushtuesi serb dhe më 1944 nga pushtuesi gjerman. Por u ngrit në po ato themele, më e fortë. Në këtë kullë kanë marrë rrugë këngët e trimërisë, këngët lirike, janë edukuar brezat me frymën e atdhetarizmit. Këtu janë betuar burrat më me zë për të mbrojtur tokat shqiptare. Në këtë kullë janë treguar përralla e legjenda, balada, këngët e kreshnikëve, qëndresa e trimave. Janë finalizuar lidhje miqësore, janë bërë kumbari me të gjitha fiset e Malësisë së Gjakovës e të Kosovës. Është trashëguar tradita e mikpritjes, e shprehjes së fjalëve dhe e mendimeve të mençura që si kujtesë e kohëve të shkuara tregohen me shumë emocione. Kulla si njeriu burrërohet. Djemtë e Haxhi Mehmetit, nipat dhe mbesat e tij i dolën zot kullës. E nderuan kullën, por edhe ajo i nderoi. Kjo kullë mban mbi vete me dhjetëra dekorata për trimëri e punë.
Kur largohesh prej saj mërzitesh shumë. Sa herë e kujtoj më bien ndërmend vargjet:
“Në oborrin e kullës hodha hapat e parë…
Mësova fjalën shqip “nënë” dhe “babë”.
Aty mora mësimet dhe këshillat e arta,
Aty lidha opingat me spangon e gjatë,
Kujtoj prindërit dhe moshatarët e fëmijërisë sime,
Më duken sërisht të bukur e të gjallë,
Ju dua deri në fund të jetës në amëshim!
Ju mbaj në rrudhat e ballit që vitet më dhanë!”
Kulla edhe duke dhënë shpirt lë amanetet. Janë përmbledhur në dy fjalë: “Kujtomëni dhe më nderoni!”
Fjalët amanet janë kujtesë edhe për ata që shkruajnë e besojnë historinë. Nuk do ta harrojmë kurrë kullën tonë! Edhe pse larg saj është në zemrën dhe shpirtin tonë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
