Shoqata “Pavarësia” organizoi Turnirin Përkujtimor “Fehmi e Xhevë Lladrovci” në nderim të 28-vjetorit të rënies së tyre

Shoqata “Pavarësia” organizoi Turnirin Përkujtimor “Fehmi e Xhevë Lladrovci” në nderim të 28-vjetorit të rënies së tyre

Në Universitetin e Shtutgartit ku ishin të pranishëm edhe veteranë të luftës,familje dëshmorësh, diplomatë, mësimdhënës e studentë, në një atmosferë të ngrohtë miqësore, Shoqata “Pavarësia” organizoi Turnirin Përkujtimor “Fehmi e Xhevë Lladrovci” në nderim të 28-vjetorit të rënies së tyre.

Veprimtarinë e hapi kryetari i Shoqatës, z. Beqir Sopa i cili përshëndeti pjesëmarrësit dhe, në fjalën e tij, kujtoi për jetën dhe veprën e heronjve Fehmi e Xhevë Lladrovci, një prej figurave më emblematike të historisë së re të Kosovës. Ai shprehu gjithashtu indinjatën e tij ndaj vendimit të padrejtë ndaj krerëve të UÇK-së, duke shpresuar në ndryshimin e këtij vendimi dhe duke shprehur bindjen se drejtësia do të triumfojë.

Pas tij, një fjalim e mbajti ish-shefi i Konsullatës së Republikës së Kosovës, z. Imer Lladrovci. Ai falënderoi kryesinë e Shoqatës “Pavarësia” për nderimin e vazhdueshëm që u bëhet Fehmiut dhe Xhevës, duke organizuar tashmë për të dytin vit radhazi turnirin memorial në përvjetorin e rënies së tyre në altarin e lirisë.

Në shenjë mirënjohjeje, në emër të familjes së heronjve z. Imer Lladrovci i dhuroi kryetarit të Shoqatës librin “Përjetësia e dyfishtë” të autorit Bedri Islami.

Në këtë aktivitet u dëgjua kënga “Dy meteorët e lirisë” kushtuar dy hëronjeve, interpretuar nga Hysni Klinaku , me tekst të Ilirjane Baraliu – Lladrovcit dhe kompozim të Kushtrim Gashit e cila u promovua pikërisht në 28-vjetorin e rënies së heroit Fehmi Lladrovci dhe heroinës Xhevë Krasniqi -Lladrovci

Turniri u zhvillua në volejboll, me karakter garues, ku përveç pesë ekipeve nikoqire morën pjesë edhe tri ekipe mysafire: “Ora” nga Reutlingeni, “Instituti i Kujtesës Kombëtare Shqiptare” nga Shtutgarti dhe “Dostat” nga Shtutgarti.

Për mbarëvajtjen dhe zbatimin e rregullave të lojës u kujdesën profesionistët e kësaj fushe, profesorët e edukatës fizike, Selajdin Shala dhe Bali Bytyqi.

Pas përfundimit të garave, vendi i parë i takoi ekipit “Bashkimi”, vendi i dytë ekipit “Instituti i Kujtesës Kombëtare Shqiptare”, ndërsa vendi i tretë ekipit “Dostat”.

Një garë spontane miqësore u zhvillua edhe në shah, ku fitues u shpall Brahim Hasani.

Për fituesit e vendit të parë u ndanë kupa, medalje ngjyrë ari , gjashtë bileta falas për koncertin e radhës, më 28 Nëntor 2026, si dhe, në emër të familjes Lladrovci, libri “Përjetësia e dyfishtë” i Bedri Islamit. Ekipi i vendit të dytë u nderua me medalje ngjyrë argjendi dhe nga një ushqim falas në koncertin e radhës, ndërsa ekipi i vendit të tretë, përveç medaljeve të bronzta për gjashtë garuesit, përfitoi edhe nga një pije falas në koncert.

Por, ajo që e bëri këtë aktivitet edhe më të veçantë ishte atmosfera pas garave. Të gjitha ekipet, pa dallim, u bashkuan në këngë, valle e argëtim për disa orë, duke dëshmuar se gara mund të ketë fitues, por miqësia dhe bashkimi janë fitorja e vërtetë.

Kështu, përmes sportit, kujtesës dhe bashkimit, pjesëmarrësit përcollën mesazhin e kësaj veprimtarie, të përmbledhur në moton:

SPORT NDERIM BASHKIM.

Sofie Shoshi Sopa.

Kontrolloni gjithashtu

Imer Lladrovci: Stuttgarti në nderim të dy meteorëve të lirisë – Fehmi dhe Xhevë Lladrovci

Në Stuttgart u përkujtuan me madhështi, dinjitet dhe emocione të veçanta dëshmorët Fehmi Lladrovci dhe …