Në Hagë u mbajt një diskutim i organizuar nga Ambasada e Kosovës në Holandë mbi raportin e publikuar nga Bar Human Rights Committee i Anglisë dhe Uellsit, i cili ngre shqetësime për funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ndërkohë, ende nuk ka një datë për verdiktin në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, pasi Gjykata ka kërkuar edhe 60 ditë shtesë për shkak të volumit të madh të lëndës.
Autorët e raportit, Gus Waschefort dhe Lauren Lederle, theksuan shqetësimet lidhur me paraburgimin e zgjatur, kufizimet për lirimin e përkohshëm, transparencën e provave, pabarazinë mes prokurorisë dhe mbrojtjes, si dhe çështje që lidhen me pavarësinë dhe llogaridhënien gjyqësore.
Diskutimi mblodhi diplomatë, ekspertë ligjorë dhe përfaqësues të disa ambasadave perëndimore. Përfaqësues të Francës dhe SHBA-së ngritën pyetje mbi kohën e publikimit të raportit dhe metodologjinë e tij, ndërsa autorët mbrojtën nevojën që kritikat të adresohen gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore, e jo pas përfundimit të tyre.
Ambasadori i Kosovës në Holandë, Dren Doli, tha se analizat kritike dhe vlerësimet e pavarura janë pjesë e domosdoshme e drejtësisë dhe se trashëgimia e Speciales do të ketë rëndësi për të ardhmen e drejtësisë penale ndërkombëtare.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, kritikoi mungesën e reagimit të Dhomave të Specializuara ndaj gjetjeve të raportit, duke e cilësuar këtë si refuzim për të pranuar kritikat. Kritika të forta ndaj Speciales shprehu edhe ish-hetuesja e Tribunalit të Hagës, Nevenka Tromp, e cila tha se gjykata nuk ka arritur të fitojë besimin e qytetarëve të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
