Sot shënohet 12 Qershori, dita e hyrjes së NATO-s në Kosovë

Më 12 qershor 1999, trupat e para të NATO-s hynë në Kosovë nga territori i Maqedonisë, duke shënuar fillimin e vendosjes së forcave paqeruajtëse ndërkombëtare pas përfundimit të fushatës ajrore kundër forcave serbe.

Një ditë më herët kishte nisur tërheqja e forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova, në përputhje me Marrëveshjen e Kumanovës, proces i cili ishte paraparë të përfundonte më 21 qershor. Misioni i NATO-s u organizua në pesë zona përgjegjësie, të udhëhequra nga kontingjentet amerikane, britanike, franceze, gjermane dhe italiane.

Me hyrjen e NATO-s filloi edhe vendosja e administratës së përkohshme të Kombeve të Bashkuara, UNMIK-ut, e cila mori përgjegjësinë për administrimin e Kosovës.

Po atë ditë kishte nisur edhe tërheqja e planifikuar e forcave serbe nga Zona e Llapit. Sipas dëshmive të kohës, gjatë largimit të tyre, forcat serbe vazhduan djegien e shtëpive të shqiptarëve nëpër vendbanimet nga ku tërhiqeshin.

Më 12 qershor 1999, komandanti i NATO-s, gjenerali amerikan Wesley Clark, konfirmoi se forcat serbe kishin filluar tërheqjen sipas afateve të përcaktuara në Marrëveshjen e Kumanovës. Ai bëri të ditur gjithashtu se NATO kishte pezulluar bombardimet ajrore, duke paralajmëruar se ato mund të rifillonin nëse Beogradi nuk do t’u përmbahej detyrimeve të marrëveshjes.

Kontrolloni gjithashtu

Rigjykimi konfirmon fajësinë: Ish-milic Shaqir Lutvija dënohet sërish me 10 vjet burg për krime lufte në Prizren

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar sërish me 10 vjet burgim ish-milicin serb, Shaqir …