Dushan Janiq

Dushan Janjiq: Kurti po përballet me pasojat e konsumimit politik, dialogu s’mund të vazhdojë si më parë

Kryetari i Bordit Drejtues të Forumit për Marrëdhënie Etnike në Serbi, Dushan Janjiq, ka komentuar zhvillimet politike në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, duke pretenduar se kryeministri Albin Kurti po përballet me një fazë të re të konsumimit politik.

Sipas Janjiqit, modeli politik që ka ndjekur Kurti nuk bazohet më në përballjen e drejtpërdrejtë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

“Para së gjithash, modeli i politikës që po ndjek Kurti nuk është më një tango mes dy vetave – Vuçiqit dhe Kurtit. Tani është Kurti pa Vuçiqin”, ka deklaruar ai.

Janjiq ka vlerësuar se në dy ciklet e fundit zgjedhore Kurti ka ndërtuar narrativën e tij politike mbi pretendimet për luftimin e nacionalizmit serb, vendosjen e kontrollit institucional në veri dhe goditjen e grupeve kriminale, duke fituar mbështetje të konsiderueshme, sidomos nga diaspora.

Sipas tij, mungesa e një kundërshtari të drejtpërdrejtë në këtë narrativë ka ndikuar në rënien e mbështetjes elektorale për Kurtin. Ai ka pretenduar se kjo situatë, e kombinuar me atë që e ka quajtur “krizë e establishmentit politik”, ka prodhuar një formë të korrupsionit social-politik.

Duke komentuar deklaratat e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, se zhvillimet politike në Kosovë mund të krijojnë hapësirë për tejkalimin e bllokadës politike, Janjiq është shprehur skeptik për qasjen aktuale të Brukselit ndaj rajonit.

Ai ka thënë se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të rikthehet në formatin e deritanishëm, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin dhe kapacitetin e aktorëve aktualë politikë për të çuar përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Deklaratat e Janjiqit përfaqësojnë qëndrimet dhe analizat e tij personale lidhur me zhvillimet politike në Kosovë dhe dialogun Kosovë–Serbi.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj: Kurti dështim energjetik: 923 milionë euro për importe, pa asnjë termocentral të ri

Ramush Haradinaj, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së Kosovës …