Prokuroria kërkon bashkimin e aktakuzave ndaj Çedomir Aksiqit, përfshihet edhe rasti i Reçakut

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në kuadër të rigjykimit ndaj të akuzuarit për krime lufte, Çedomir Aksiq, Prokuroria Speciale ka kërkuar bashkimin e dy aktakuzave në të cilat ai figuron si i akuzuar, përfshirë edhe rastin që lidhet me masakrën e Reçakut.

Në seancën e së hënës, prokurorja speciale Habibe Salihu bëri të ditur se, pas pranimit të aktvendimit të Gjykatës së Apelit, është njoftuar se ndaj Aksiqit po zhvillohet edhe një procedurë tjetër për të njëjtën vepër penale.

“Sot, e kam siguruar një aktvendim të Apelit sipas së cilit është duke u zhvilluar një procedurë tjetër kundër Çedomir Aksiq dhe sugjerimi edhe i Apelit është që ky rast të bashkohet. Andaj kam një propozim që të bashkohet ky rast me rastin tjetër meqenëse janë të përfshirë edhe disa të dëmtuar tjerë”, deklaroi prokurorja Salihu.

Ajo shtoi se mospranimi i këtij propozimi mund të ndikojë në trajtimin e të dëmtuarve të përfshirë në rast, duke paralajmëruar se në të kundërtën do të kërkojë zgjerimin e aktakuzës në këtë procedurë.

Nga ana tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ymer Berisha, deklaroi se nuk ka vërejtje dhe se e mbështet vendimin e Gjykatës së Apelit për kthimin e çështjes në rigjykim, duke kërkuar nga gjykata që të eliminojë të gjitha shkeljet procedurale dhe të garantojë një proces të drejtë gjyqësor.

Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Namani-Hajra, njoftoi se vendimi lidhur me propozimin për bashkimin e rasteve do të merret jashtë seancës, ndërsa palët do të njoftohen me kohë. Pas kësaj, seanca u ndërpre.

Ndryshe, aktakuza tjetër ndaj Çedomir Aksiqit është pjesë e rastit të ngritur nga Prokuroria Speciale më 30 dhjetor 2025, me propozim për gjykim në mungesë ndaj 21 personave, të cilët akuzohen për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, në lidhje me masakrën e Reçakut.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit ngarkohen për vrasjen e 42 civilëve shqiptarë më 15 janar 1999, si dhe për trajtim çnjerëzor, dëbime dhe shkatërrim të pasurisë së popullsisë civile gjatë operacionit të forcave serbe në Reçak.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj: Kurti dështim energjetik: 923 milionë euro për importe, pa asnjë termocentral të ri

Ramush Haradinaj, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së Kosovës …