Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se ka avancuar ndjeshëm procesi i rinumërimit të vendvotimeve të përfshira në verifikimin shtesë të rezultateve zgjedhore.
Sipas njoftimit të KQZ-së, deri në orën 16:00 të së enjtes janë rinumëruar 102 nga gjithsej 185 vendvotime të rregullta, të cilat janë përzgjedhur për kontroll shtesë pas vlerësimit të materialeve zgjedhore.
Vendvotimet që po rinumërohen janë pjesë e 2.498 vendvotimeve ku qytetarët votuan në zgjedhjet e 7 qershorit 2026. Numri i tyre përfaqëson rreth 7.41 për qind të totalit të vendvotimeve në nivel vendi.
Procesi po zhvillohet në disa komuna të Kosovës, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Pejën, Ferizajn dhe Mitrovicën e Jugut, si dhe në komuna të tjera të përfshira në vendimin e KQZ-së.
Sipas institucionit zgjedhor, rinumërimi po realizohet në përputhje me Rregulloren Zgjedhore për funksionimin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, e cila i jep KQZ-së kompetencën për të urdhëruar rinumërime kur evidentohen mospërputhje apo nevoja për verifikim shtesë.
KQZ ka theksuar se ky veprim synon të adresojë parregullsitë e konstatuara gjatë numërimit në disa qendra komunale dhe të garantojë saktësinë, besueshmërinë dhe integritetin e rezultateve përfundimtare zgjedhore.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
