Pavarësisht mohimeve të autoriteteve serbe, pretendimet se Millan Radoiçiqi mbrohet nga pjesëtarë të Xhandarmërisë së Serbisë po nxisin dyshime të reja mbi qasjen e Beogradit ndaj organizatorit të sulmit terrorist në Banjskë. Kolonelja në pension dhe deputetja opozitare, Sllavica Radovanoviq, deklaroi se është “sekret publik” se dy pjesëtarë të Xhandarmërisë janë të angazhuar në ruajtjen e Radoiçiqit, ndonëse zyrtarisht nuk paraqiten fare në vendet e tyre të punës. Në anën tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe komandanti i Xhandarmërisë, Radosllav Repac, i kanë mohuar këto raportime, duke insistuar se Radoiçiqi dhe Zvonko Vesellinoviqi nuk gëzojnë mbrojtje nga ky njësi special. Megjithatë, fakti që Radoiçiqi, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, vazhdon të jetë i lirë në Beograd dhe ende nuk përballet me një aktakuzë, vazhdon të ushqejë kritikat ndaj institucioneve serbe. Ndërsa Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë përgjegjësi penale për organizatorët e sulmit, mungesa e veprimeve konkrete nga drejtësia serbe forcon perceptimin se Beogradi vazhdon të mbajë një standard të dyfishtë ndaj ngjarjes që Kosova e konsideron akt terrorist.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
