Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka mbajtur një fjalim të ashpër në Kuvendin e Degës së BDI-së në Saraj, ku ka kritikuar drejtuesit e koalicionit VLEN, duke i akuzuar për mosrealizim të premtimeve dhe mungesë të legjitimitetit politik. Ahmeti tha se premtimet e bëra para zgjedhjeve, përfshirë 26 kërkesat e prezantuara nga VLEN, nuk janë realizuar, duke theksuar se mbrojtja e çështjeve kombëtare kërkon traditë, përgatitje dhe përkushtim afatgjatë. “Për të mbrojtur një kauzë duhet të kesh guxim, traditë dhe përgatitje. Bashkimi Demokratik për Integrim nuk është përcaktuar për pushtet, por për t’i dalë zot kauzës shqiptare për të cilën është luftuar”, deklaroi Ahmeti. Lideri i BDI-së vlerësoi se zhvillimet aktuale politike po dëmtojnë interesat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ndërsa paralajmëroi se prekja e Marrëveshjes së Ohrit, e të drejtave gjuhësore dhe e përfaqësimit të drejtë mund të ketë pasoja serioze për stabilitetin e vendit. Ai krahasoi këto procese me ngjarjet e vitit 1989 në Kosovë, duke theksuar se shqiptarët nuk do të pranojnë të margjinalizohen apo të kthehen në “sehirxhinj e sahanlëpirës” në shtetin ku jetojnë. Në fjalimin e tij, Ahmeti foli edhe për procesin e reformimit brenda BDI-së, duke theksuar se partia ka rinovuar 83 për qind të strukturave drejtuese dhe se investimi në gjeneratat e reja mbetet prioritet strategjik për vazhdimin e misionit politik të saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
