Sadik Halitjaha: LAJM I PAPRITUR: Ndarja nga jeta e Elbasan Shoshajt

Elbasan Shoshaj ia kushtoi tërë jetën atdheut, duke qenë pjesë e veprimtarisë së fshehtë kombëtare për dekada të tëra para luftës, në rrethin e Prizrenit, në kuadër të OMLK-së dhe LPK-së, deri në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai u angazhua në organizimin e luftës në rrethinën e Prizrenit, së bashku me luftëtarët e parë të Zonës së Prizrenit dhe të Vërrinit. Me Remzi Ademajn, Xhevat Berishën, Hajrim Qengën dhe shumë të tjerë, që nga pranvera e vitit 1998, veproi fillimisht në grupe guerile, ndërsa më vonë, me formimin e Batalionit të Vërrinit, Elbasani pati vazhdimisht rol kyç në organizimin, komandimin dhe drejtimin e luftës çlirimtare.

Me formimin e brigadave të Zonës Operative të Pashtrikut, Elbasani u caktua Shef i Zbulim-Kundërzbulimit për Brigadën 125. Këtë detyrë e kreu me ndershmëri, përkushtim dhe sakrificë deri në çlirimin e Kosovës.

Ai ishte dhe mbeti besnik i veprimtarisë kombëtare, i trimërisë dhe i besës. Pas luftës, dha kontribut të çmuar në ndërtimin e institucioneve të Kosovës, veçanërisht në strukturimin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK).

Jetoi me nder e dinjitet, pa privilegje dhe shpesh i lënë në harresë nga pushtetarë që nuk i vlerësuan sa duhet kontributet e tij. Sidomos kur bëhet fjalë për Elbasan Shoshajn, asnjë dekoratë apo mirënjohje e merituar nuk iu nda.

Megjithatë, veprimtaria, lufta dhe vlerat e tij askush nuk mund t’i mohojë. E ardhmja nuk do ta harrojë kurrë kontributin dhe sakrificën e tij për lirinë e Kosovës.

Lavdi jetës dhe veprës së eprorit, luftëtarit dhe patriotit të devotshëm, Elbasan Shoshaj!

Sadik Halitjaha 1 korrik 2026

Kontrolloni gjithashtu

Në kuadër të Javës Çame në Prishtinë, ekspozohen vuajtjet e shqiptarëve 82 vjet më parë

Në kuadër të Javës Çame, në Prishtinë u hap një ekspozitë kushtuar vuajtjeve dhe masakrave …