Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ka reaguar ndaj debatit të fundit për çështjen e territorit të Malësisë, duke garantuar se interesat e shqiptarëve në këtë zonë janë të mbrojtura dhe se nuk do të pranohet asnjë kompromis që cenon kërkesat e paraqitura nga përfaqësuesit e tyre. Përmes një reagimi publik, Gjeloshaj theksoi se puna dhe vendimet e marra gjatë shtatë viteve të fundit dëshmojnë përkushtimin institucional për ruajtjen e territorit dhe identitetit të Malësisë, duke rikujtuar se komunat kadastrale të kësaj treve janë të përcaktuara që nga viti 1952. Ai bëri të ditur se prej vitesh është kërkuar bashkëngjitja e disa vendbanimeve dhe zonave të caktuara me komunat kadastrale të Malësisë, duke përfshirë Dubravën pranë Vllanës, pjesë të Rakiqit, Kakarriqin, Luharin, Ledinën, Laparin, Rabrajin, si dhe një pjesë të bjeshkës së Koshticës dhe Liqenin e Rikavecit. Gjeloshaj nënvizoi se ai, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, nuk do të mbështesin dhe as nuk do të nënshkruajnë asnjë variant tjetër përveç hartës zyrtare që përfshin të gjitha kërkesat e shqiptarëve të Malësisë, duke i cilësuar të pavërteta pretendimet dhe manipulimet që po qarkullojnë në opinion. “Jemi shqiptarë dhe Malësinë do ta ruajmë shqiptare”, theksoi ai në reagimin e tij.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
