Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, me rastin e 36-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, ka uruar të gjithë qytetarët e Komunës së Vitisë, duke e vlerësuar këtë datë si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetformimit të Kosovës.
Në urimin e tij, kryetari Haliti theksoi se Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 përfaqëson dëshminë e vullnetit të palëkundur të popullit të Kosovës për liri, demokraci dhe shtetësi.
“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 mbetet një akt historik që shënoi rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit demokratik. Kjo datë është simbol i guximit, vizionit dhe përkushtimit të delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, të cilët, duke shprehur vullnetin e qytetarëve, hodhën themelet e shtetësisë sonë.
Në këtë ditë të veçantë, shpreh mirënjohjen dhe respektin më të thellë për të gjithë ata që kontribuan në rrugën e gjatë drejt lirisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës. Duke kujtuar me krenari këtë ngjarje historike, uroj që të vazhdojmë së bashku të punojmë për zhvillimin, mirëqenien dhe forcimin e shtetit tonë.
Me rastin e kësaj dite të shënuar, në kuadër të Statutit të Komunës së Vitisë, sot në fshatin Beguncë do të zhvillohet manifestimi tradicional kulturor-sportiv “2 Korriku”, i cili përfshin aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive. Gjithashtu, nga ora 18:00, do të zhvillohet nata finale e turneut në futboll të vogël, ku pritet një pjesëmarrje e madhe e qytetarëve dhe sportdashësve.
Ftoj të gjithë qytetarët që, me praninë e tyre, të nderojnë këtë ditë historike dhe të bëhen pjesë e aktiviteteve që organizohen në shënim të saj.
Urime 2 Korriku – Dita e Deklaratës Kushtetuese!”
Sinqerisht
Kryetari i Komunës së Vitisë
Sokol Haliti