Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas shtyrjes së shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke deklaruar se vetëm një vendim lirues do të ishte i drejtë. Në një reagim publik, Lladrovci tha se shtyrja e afatit nga maji e korriku deri në shtator përbën dëshmi se procesi duhet të përfundojë me lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ai u shpreh se ish-krerët e UÇK-së janë heronj të luftës dhe paqes, duke theksuar se ata dhanë kontribut të rëndësishëm në çlirimin e Kosovës, shtetndërtim dhe në forcimin e partneritetit me aleatët ndërkombëtarë. Kryetari Lladrovci shtoi se pret që katër ish-udhëheqësit e UÇK-së të rikthehen të lirë në Kosovë, duke shprehur bindjen se vendimi përfundimtar duhet të jetë në favor të tyre.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
