Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është përfshirë në një incident në Qendrën e Paraburgimit në gjykatën speciale në Hagë, për të cilin ka marrë vërejtje disiplinore, sipas një raporti të institucionit të publikuar nga VOX Kosova. Sipas dokumentit, incidenti ka ndodhur kur Hashim Thaçi, gjatë shoqërimit nga një zyrtar korrektues në korridorin e vizitave, ka trokitur në derën e një dhome ku po zhvillohej një vizitë e monitoruar, ka hyrë brenda dhe ka biseduar me një person që ndodhej aty. Raporti thotë se, pasi gardiani i kërkoi të largohej, ai nuk iu bind menjëherë udhëzimit. Për këtë veprim, Paneli i Trupit Gjykues i ka shqiptuar një vërejtje, megjithëse vizita zhvillohej nën mbikëqyrjen e zyrtarëve korrektues. Në artikull rikujtohet gjithashtu se Thaçi ka ngritur më herët shqetësime lidhur me kushtet dhe trajtimin në Qendrën e Paraburgimit, ndërsa gjykata speciale vazhdon të zbatojnë masa të posaçme sigurie dhe komunikimi për të akuzuarit. Hashim Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020 dhe i ka mohuar akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
