Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, me ftesë të Komandantit Suprem të Forcave Aleate në Evropë dhe Komandantit të Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara Gjeneral Alexus G. Grynkewich, mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë ku u nderua Gjeneral Christopher T. Donahue. Gjatë takimit, Gjenerallejtënant Jashari shprehu mirënjohjen për lidershipin e Gjeneral Donahue dhe kontributin e tij në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe forcave amerikane. Ai e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së dhe avancimin e partneritetit ndërmjet dy forcave. Nga ana e tij, Gjeneral Donahue falënderoi Gjeneral Jasharin për pjesëmarrjen në ceremoni dhe për bashkëpunimin e ngushtë gjatë mandatit të tij, duke vlerësuar zgjerimin e aktiviteteve të përbashkëta, përfshirë trajnimet dhe ushtrimet që kanë rritur ndërveprueshmërinë mes dy forcave. Në kuadër të ceremonisë, Komandanti i FSK-së zhvilloi takime edhe me homologë nga vendet partnere të NATO-s, si dhe me Zëvendëskomandantin dhe ushtruesin e detyrës së Komandantit të USAREUR-AF, Gjeneralmajor Christopher Norrie. Gjatë takimit, palët u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit dhe zgjerimin e aktiviteteve të përbashkëta. Në përfundim të ceremonisë, u rikonfirmua përkushtimi i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit strategjik ndërmjet FSK-së dhe USAREUR-AF, me synim zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve mbrojtëse, forcimin e sigurisë, ruajtjen e stabilitetit dhe promovimin e paqes së qëndrueshme në Kosovë dhe rajon.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
