Ekspertët e ekonomisë kanë bërë thirrje për ndërmarrje urgjente të masave për mbështetje të prodhuesve vendor. Ata kanë vlerësuar se rritja e deficitit tregtar të Kosovës gjatë muajit maj 2026 po konsiderohet si pasojë e mungesës së mbështetjes institucionale për sektorin privat, kostove të larta të prodhimit dhe orientimit gjithnjë e më të madh të ekonomisë drejt importeve. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), deficiti tregtar në muajin maj 2026 u rrit për 4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 544.4 milionë euro, nga 523.4 milionë euro sa ishte në maj 2025. Duke u mbështetur në këto të dhëna, eksperti i ekonomisë, Safet Gërgjaliu ka thënë për Ekonomia Online se “Sektori privat është duke u ballafaquar me sfida të shumta. Në rend të parë, mungon një mbështetje institucionale, qoftë në mënyrë direkte, qoftë indirekte. Në rend të dytë, kemi një vakum diplomatik, ku vërtet, në vend që të promovohen vlerat e prodhimeve dhe shërbimeve ‘Made in Kosova’, ata merren me zgjedhje dhe me agjenda politike. Dhe, definitivisht, situata aktuale në Kosovë është më se shqetësuese, gjë që rëndohet edhe nga fakti që Kosova çdo ditë e më tepër po e vulos fatin e dënimit për të qenë shtet i varur nga importi”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
