Fitim Selimi

Fitim Selimi: KUORUMI NUK ËSHTË OBLIGIM I OPOZITËS – ËSHTË PROVA SE PUSHTETI NUK I KA NUMRAT

Në vazhdimësi po dëgjojmë një pretendim të rrezikshëm për demokracinë: se opozita paska detyrim t’ia bëjë kuorumin pushtetit. Kjo nuk është vetëm një tezë e gabuar; është një përpjekje për ta përmbysur vetë logjikën e parlamentarizmit.
Lëvizja Vetëvendosje duhet ta kuptojnë një të vërtetë themelore: populli nuk ju ka dhënë mandat për të qeverisur vetëm. Ju ka dhënë një numër mandatesh që ju obligon të ndërtoni shumicë politike, të negocioni dhe të ndani përgjegjësinë me subjektet e tjera parlamentare.
Deputetët e opozitës nuk janë zgjedhur për t’ia plotësuar mungesën e shumicës pushtetit. Ata janë zgjedhur për të përfaqësuar qytetarët që nuk kanë votuar për Albin Kurtin dhe për programin e tij politik. Pikërisht për këtë arsye, ata kanë jo vetëm të drejtën, por edhe përgjegjësinë politike të mos bëhen pjesë e proceseve me të cilat nuk pajtohen.
Mospjesëmarrja në votim apo mungesa e kuorumit nuk është shkelje e demokracisë. Përkundrazi, është një nga mjetet që demokracia parlamentare ua njeh përfaqësuesve të popullit për të shprehur mospajtimin e tyre politik. Demokracia nuk përbëhet vetëm nga sundimi i shumicës; ajo ndërtohet edhe mbi kufizimin e pushtetit të shumicës.
Pikërisht për këtë arsye, Kushtetuta dhe rregullat parlamentare parashohin pragje prej 60 ose 80 votash për vendime të caktuara. Këto nuk janë numra teknikë. Janë mekanizma kushtetues sigurie, të ndërtuar për të penguar përqendrimin e pushtetit dhe për ta detyruar shumicën të kërkojë konsensus.
Nëse nuk i keni këta numra, nuk mund ta akuzoni opozitën. Përkundrazi, duhet të pranoni se nuk e keni mbështetjen e nevojshme politike për të marrë vendimin përkatës.
Më e papranueshme është hipokrizia politike. Kur Vetëvendosje ishte në opozitë, bojkotimi i seancave dhe moskrijimi i kuorumit konsideroheshin mjete legjitime të luftës parlamentare. Atëherë askush nga ju nuk thoshte se opozita kishte obligim t’ia siguronte kuorumin pushtetit. Sot, të njëjtin veprim e quani bllokadë vetëm sepse ju ndodheni në anën tjetër të pushtetit.
Kjo nuk është parim. Kjo është përdorimi i dy standardeve për të njëjtën situatë.
Edhe një gjë duhet thënë qartë: çdo deputet në Kuvend ka legjitimitet të barabartë demokratik. Deputeti i opozitës nuk është më pak përfaqësues i popullit sesa deputeti i shumicës. Ai përfaqëson një ide tjetër politike, një program tjetër dhe një pjesë tjetër të qytetarëve. Askush nuk ka të drejtë ta zhvlerësojë atë mandat vetëm pse nuk i shërben interesit të pushtetit.
Nëse nuk i keni 80 vota, mos kërkoni ta detyroni opozitën t’jua ndërtojë shumicën. Nëse nuk mund ta siguroni kuorumin, mos e quani faj të opozitës paaftësinë tuaj për të ndërtuar marrëveshje politike.
Ky është thelbi i demokracisë parlamentare: mandati i pjesshëm nuk jep të drejtën e pushtetit absolut.
Prandaj, në vend të akuzave ndaj opozitës, pranoni realitetin politik. Populli nuk ju ka dhënë pushtet të pakufizuar. Ju ka dhënë një mandat që kërkon dialog, kompromis dhe bashkëqeverisje.
Në demokraci, kuorumi nuk është detyrë e opozitës. Ai është pasqyra e shumicës. Dhe kur shumica nuk arrin ta sigurojë, problemi nuk është te opozita, por te vetë shumica.

Kontrolloni gjithashtu

Fatmir Grejqevci: Një vit pa nipin tonë të dashur, ushtarin e lirisë, poetin dhe arsimdashësin, Naim Ymeri!

Kush do ta besonte, pak më parë se një vit, se derisa po pinim kafe …