Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka pranuar zyrtarisht listën me nënshkrime të dorëzuar nga Armend Zemaj dhe Florian Dushi për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë, ndërsa Sekretari i LDK-së, Ilir Ferati, ka bërë të ditur se tani do të nisë procesi i verifikimit të tyre.
Sekretari i LDK-së, Ilir Ferati, konfirmoi se kërkesa dhe lista me nënshkrime janë pranuar në Sekretariatin e partisë, por tha se numri i nënshkrimeve nuk mund të bëhet publik pa përfunduar procesi i verifikimit.
Sipas tij, LDK do të formojë një komision që do të shqyrtojë vlefshmërinë e nënshkrimeve, ndërsa pas verifikimit paraprak, drejtuesit e partisë do të dalin me një qëndrim zyrtar, ose unë ose kryetari me një mesazh publik”, ka deklaruar Ferati për media.
Ai shtoi se rezultatet e verifikimit pritet të bëhen të ditura gjatë ditës së sotme ose nesër.
Më herët gjatë ditës, deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj, konfirmoi se nënshkrimet janë dorëzuar në përputhje me Statutin e partisë, me synimin për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, i cili synon shqyrtimin e shkarkimit të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kuvendi i LDK-së numëron 355 delegatë, ndërsa për thirrjen e tij nevojiten të paktën 118 nënshkrime.
Sipas Statutit të LDK-së, pas dorëzimit të kërkesës me numrin e nevojshëm të nënshkrimeve, Kryesia e partisë obligohet ta thërrasë Kuvendin brenda 60 ditëve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
