Opinionisti politik Fitim Selimi ka kritikuar pretendimet se opozita ka detyrim t’ia sigurojë kuorumin shumicës parlamentare, duke i cilësuar ato si një keqinterpretim të parimeve të demokracisë parlamentare. Sipas Selimit, qytetarët nuk i kanë dhënë Lëvizjes Vetëvendosje mandat për të qeverisur e vetme, por një numër mandatesh që e obligon të ndërtojë shumicë politike përmes dialogut, negociatave dhe marrëveshjeve me subjektet e tjera parlamentare. Ai thekson se deputetët e opozitës nuk janë zgjedhur për t’i kompensuar mungesën e votave pushtetit, por për të përfaqësuar qytetarët që kanë zgjedhur një alternativë tjetër politike. Për këtë arsye, sipas tij, mospjesëmarrja në votim apo moskrijimi i kuorumit është një mjet legjitim i veprimit parlamentar dhe jo shkelje e demokracisë. Selimi argumenton se pragjet kushtetuese prej 60 apo 80 votash nuk janë formalitete procedurale, por mekanizma që synojnë të kufizojnë përqendrimin e pushtetit dhe ta detyrojnë shumicën të kërkojë konsensus për çështjet me rëndësi të veçantë. “Kur nuk i keni votat e nevojshme, nuk mund ta fajësoni opozitën. Problemi nuk është te opozita, por te paaftësia e shumicës për të ndërtuar marrëveshje politike,” vlerëson Selimi. Sipas tij, çdo deputet në Kuvend ka legjitimitet të barabartë demokratik, pavarësisht nëse i përket shumicës apo opozitës, ndërsa mandati i shumicës nuk nënkupton pushtet absolut.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
