Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me projektet energjetike dhe gazin amerikan, duke e akuzuar Qeverinë për mungesë vizioni dhe zvarritje të projekteve strategjike. Behrami ka deklaruar se edhe nëse Kosova lidhet me terminalin e gazit në Vlorë, vendi nuk do të arrijë pavarësi energjetike, pasi realizimi i një projekti të tillë, sipas tij, mund të zgjasë më shumë se dhjetë vjet. “Edhe nëse Kosova lidhet me Vlorën, Kosova nuk do të ketë pavarësi energjetike”, ka shkruar ai. Sipas Behramit, në rrethanat aktuale gjeopolitike, projektet e mëdha energjetike mund të përballen me vonesa edhe më të mëdha. Ai ka akuzuar kryeministrin në detyrë se po kërkon të fitojë kohë për interesa politike dhe për, siç është shprehur, tregtarët e energjisë elektrike pranë pushtetit. “Kurti dëshiron të blejë kohë për vete dhe tregtarët e energjisë elektrike që i ka rreth këmbëve të tij”, ka deklaruar Behrami. Deputeti i PDK-së ka pretenduar gjithashtu se Qeveria Kurti, pas marrjes së mandatit, refuzoi projektin e gazit amerikan dhe më pas promovoi projektin e baterive energjetike, i cili, sipas tij, nuk është realizuar. “Tani, për ta dështuar sërish projektin e gazit amerikan, Kurti flet për Vlorën”, ka thënë ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
