Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se është dorëzuar kërkesa zyrtare për shkarkimin e ministres serbe Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj lidhur me “spastrimin etnik të shqiptarëve” gjatë viteve ’90. Sipas Kamberit, iniciativa është ndërmarrë nga grupi parlamentar “Lëvizja e Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut” dhe Partia për Veprim Demokratik, ndërsa është mbështetur edhe nga 47 deputetë të tjerë opozitarë. Gjithsej 53 deputetë ia kanë dorëzuar kërkesën kryeministrit të Serbisë, Gjuro Macut, që t’i propozojë Kuvendit shkarkimin e Paunoviqit. Kamberi ka deklaruar se kryeministri serb ka përgjegjësi politike dhe institucionale për të reaguar dhe për të dëshmuar se në Qeverinë e Serbisë nuk ka vend për zyrtarë që mbështesin ide të dëbimit të njerëzve mbi baza kombëtare. Ai ka paralajmëruar se nëse Macut nuk e propozon shkarkimin e ministres, atëherë do të mbajë përgjegjësi për vazhdimin e mandatit të saj dhe për lejimin e një gjuhe të tillë brenda institucioneve të Serbisë. Kamberi ka kritikuar edhe partitë e pakicave kombëtare që janë pjesë e qeverisë serbe, duke thënë se ato nuk e kanë mbështetur nismën për shkarkimin e Paunoviqit. Sipas tij, kërkesa nuk është përkrahur as nga partitë boshnjake të udhëhequra nga Zukorliq dhe Lajiq, si dhe as nga partia hungareze e udhëhequr nga Pastori.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
